Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë në Durrës, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, UNICEF, Insitutin e Shëndetit Publik, Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Shijakut dhe Fondacionin “Partneritet për Zhvillim” ka prezantuar sot programin e ndërhyrjes së përbashkët me qëllim përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës në rajonin e Durrësit. Kjo ndërhyrje e përbashkët përfshin ngritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor për zbatimin e një qasje të re në ofrimin e shërbimit shëndetësor për nënën dhe fëmijën, forcimin e bashkëpunimit me pushtetin vendor që është vendimtar në aksesin në shërbimet shëndetësore për nënën dhe fëmijën, ndërgjegjësimin e komunitetit për përmirësimin e praktikave të kujdesjes për fëmijët, etj. Nga kjo ndërhyrje e përbashkët do të përfitojnë 130 mjekë në të dy nivelet e shërbimit shëndetësor dhe drejtues në institucionet shëndetësore, 50 infermiere-mami në fshat, 20 infermiere konsultori të fëmijes në qytet dhe të konsultorit të gruas në Spitalin Rajonal, 200 nëna, anëtarë të komunitetit, etj.
Përfaqësuesja e UNICEF për Shqipërinë, Antonella Scolamiero, deklaroi se shtimi i ushqyerjes me qumësht gjiri mund të parandalojë të paktën gjysmën e rasteve me diarre, dhe një të tretën e rasteve me infeksion në aparatin e frymëmarrjes, të cilat janë dy nga shkaqet kryesore të vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç.
Nga ana e tij, kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako, i pranishëm në prezantimin e këtij programi, deklaroi se është përgjegjësia jonë që të sigurojë përmirësimin e dukshëm të cilësisë së jetës së fëmijëve, sidomos atyre që vijnë nga familje në nevojë. “Politika për mirërritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve bazohet në parimin themelor që ata duhet të rriten në mjedis të sigurt dhe familjar dhe mundësisht të rriten në familjet e tyre natyrore. Gjatë këtyre viteve nga ana jonë i është kushtuar vëmendje përmirësimit të aksesit në shërbimet cilësore bazë si arsimi, shëndetësia, dhe shërbimet sociale të cilat kontribuojnë në zhvillimin dhe mirëqënien tërësore të fëmijëve, sidomos atyre vulnerabël,” – tha kryebashkiaku Dako.





