DURRËS, 19 gusht 2013 – Kohët e fundit në Bashkinë e Durrësit po hedh shtat projekti sa i rëndësishëm aq dhe delikat për përdorimin e paneleve diellorë që do të përdoren për ftohjen e ambienteve të ndryshme, shkruan në të përditshmen “Shekulli” inxhinieri i njohur durrsak Fatmir Minguli. Si objektiv në këtë studim të madh me karakter ndërkombëtar janë katër lloje godinash si ato publike, tregtare, bujqësore dhe blegtorale, qendra prodhimi e magazinimi produktesh ushqimorë. I inkuadruar në projektin Adriacold, studimi është përqendruar në disa objekte që e kanë shumë të nevojshme ftohjen e ambienteve gjatë muajve të verës. Një bashkëpunim i frytshëm midis Bashkisë së Durrësit dhe Fakultetit të Studimeve Profesionale të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, po jep rezultatet e veta. Projekti drejtohet nga ing. Sokol Kokomani, drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit në Bashkinë e Durrësit dhe po realizohet në bashkëpunim me Dekanin e Fakultetit të Studimeve Profesionale dr. ing Mehdi Shehu dhe pedagogun e këtij fakulteti ing. Fatmir Minguli. Ky grup specialistësh ka bërë sondazhet teknike pranë njëzet objekteve të ndryshme, ku janë përzgjedhur disa hotele të qytetit të Durrësit dhe të zonës bregdetare të plazhit të Shkëmbit të Kavajës, supermarkete te ndryshme, kopshte fëmijësh, shkolla, një pjesë e ambienteve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, ferma blegtorale “Rramilli 04” në Gjepalaj, Shijak, shtypshkronja, magazinë frigoriferike në Fushë Krujë, etj..Gjatë hartimit të projekteve, të personalizuar për çdo objekt, janë parashikuar të gjithë parametrat që do t’i shërbejnë Qendrës së projektit Adriacold, parametra që garantojnë instalimin e paneleve diellorë në të ardhmen e afërt për ngrohje uji dhe ambientesh publike dhe banimi ne dimër dhe për ftohjen e po këtyre ambienteve në sezonin veror. Projekti i ndërmarrë me guxim nga Bashkia e Durrësit premton për një kursim akoma më të madh të energjisë elektrike në të ardhmen e afërt, thotë inxhinier Minguli. Fakti që këto instalime janë kërkimet më të fundit në teknologjitë e ftohjes në Evropë dhe që rajoni i Durrësit përshihet në këtë projekt të rëndësishëm PanAdriatik, tregon se ka të ardhme me vlerë dhe të sigurt.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





