Bashkia e Durrësit ka prezantuar dhe ka diskutuar me komunitetin dhe grupet e interesit projektbuxhetin e vitit 2016, që pas kësaj faze do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak. Në këtë prezantim të projektbuxhetit, ku merrnin pjesë të gjitha grupet e interest dhe qytetarë të Durrësit, kryebashkiaku Vangjush Dako ka diskutar gjerësisht me pjesëmarrësit në lidhje me prioritetet dhe projektet e ndryshme që do të zbatojë Bashkia e Durrësit gjatë këtij viti.
Bashkia e Durrësit për vitin 2016 paraqitet me një program të zhvillimit të saj ekonomik, ku janë hartuar dhe përcaktuar programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale. Në të përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor, si edhe raporti produkt/rezultat. Për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin, të shtrira në të gjithë qytetin, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje, të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit, dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe të nevojave të tyre në buxhet.
Reforma administrativo-territoriale ka sjellë ndryshime të ndjeshme në Bashkinë e Durrësit. Me shtimin e pese njësive: Ishëm, Manzë, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull, sipërfaqja e bashkisë nga 46.3 kilometra katrore ka shkuar në 346.55 kilometra katrore. Ky ndryshim reflektohet edhe në numrin e popullisë, i cili nga 212 000 banorë ka shkuar në 306 000 banore. Duke u bazuar në këtë reformë, institucionit të Bashkisë se Durresit i shtohen funksione të tjera si: sherbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, personeli në arsimin parashkollor dhe atë parauniversitar, rrugët rurale, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi dhe, në këtë mënyrë, burimet njerëzore shkojnë në 1.533 punonjës. Këto ndryshime territoriale e institucionale janë imponuese edhe në prioritetet që Bashkia e Durresit cakton në buxhetin e vet. Për vitin 2016, fokusi kryesor do të jetë
- infrastruktura rrugore e njësive administrative
- sistemet e kullimit të ujerave të bardha në qendër të Durrësit
- rikualifikimi i hapësirave publike
- infrastruktura arsimore
- përfitimi i qytetarëve në nevojë nga programet e strehimit
Nisur nga këto prioritete këtë vit do të hartohen tri studime të rëndësishme:
- projekti për rikualifikimin e sheshit publik para hyrjes së portit – 30 milion lekë
- projekti për rikualifikimin e sheshit pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve – 38 milion lekë
- studim projektim për riorganizimin e linjave te transportit – 800 mijë lekë
Ndërsa sa i takon infrastrukturës do të zbatohen këto projekte:
- rehabilitimi i zonës nga rotonda Plepa deri në kryqezimin Shkozet-Shkallnur – 24 milion lekë
- sistemim i KUB tek stacioni i trenit – 10 milion lekë
- rikonstruksion rruga tek Sigurimet Shoqërore – 40 milion lekë
- rikonstruksion rruga pas Pallatit të Kulturës – 10 milion lekë
- realizimi i sinjalistikës horizontale – 5 milion lekë
- vendosje e kapakeve plastike në pusetat e KUB – 5 milion lekë
- mbyllje e kanalit te Kashta e Kumtrit, në zonën e Spitallës – 10 milion lekë
- në njësitë administrative për infrastrukturë rrugore do të investohen – 120 milion lekë
- për mbarëvajten e punëve në institucionet e varësisë blerje mjetesh – 18.6 milion lekë
Përsa i takon programit arsim kulturë e sport, parashikimi i buxhetit 2016 është:
- ndërtimi i kopshtit 7 Marsi – 47 milion lekë
- rikonstruksion oborri i kopshtit Met Hasa – 1 milion lekë
- rikonstruksioni i nyjeve sanitare në shkollën B. Qeraxhia dhe mensa e shkolles B. Çela – 5 milion lekë
- blerje pajisje të kopshteve dhe konvikteve – 560 mije lekë
- rikonstruksionin i Pishinës Publike (loti II) – 34 milion lekë
Në programin e strehimit është parashikuar në buxhet fondi prej 100 milionë lekësh për përfundimin e 128 banesave sociale me qera të ulët.
Për këto investime të parashikuara në buxhet përkatësisht për programin e infrastrukturës publike, arsimit – sportit, strehimit dhe administratës vendore është një total prej 695 milionë lekë. Tre zërat e rëndësishëm ku bazohen të ardhurat e Bashkisë janë: taksat e tarifat vendore, arkëtimi i të cilave pritet të jetë 1.35 miliard lekë (këtu përfshihen taksa e ndërtesës, truallit, tokës bujqësore, e pasurisë së paluajtshme, ndërtimit në infrastrukturë, etj., ndërsa në tarifat janë pastrimi, ndricimi, gjelberimi, etj.); transferta e pakushtëzuar 573 milion lekë; transferta specifike, e cila do të jetë 280 milion lekë. Totali i të trija këtyre zërave është 2.21 miliard lekë.





