Ka nisur punimet në ditën e tij të dytë në Durrës, takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim të kryediplomatëve të rajonit do të diskutohen projektet rajonale sidomos ato në infrastrukturë dhe në energji. Këtu përfshihet ajo që njihet si “Autostrada e Kaltër”, projekt që nis në Kroaci, vijon në Bosnje, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke lidhur gjithë bregdetin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, do të diskutohet edhe për projektin tjetër madhor po në infrastrukturë, ai Nish-Prishtinë-Durrës. Një tjetër që ndodhet në tryezë është edhe projekti i intekonjeksionit Shqipëri-Maqedoni.

Në përfundim të tryezës së përbashkët, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Komisioneri i BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e Muzeut Arkeologjik në Durrës.

Në Durrës, Serbia dhe Kosova nuk përfaqësohen me ministra, ndërkohë që merr pjesë edhe sekretari i Shtetit i Punëve të Jashtme të Italisë, sekretari i Shtetit të Francës dhe ministri i Jashtëm norvegjez.