DURRËS, 5 korrik 2014 – Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako do t’i kërkojë më 10 korrik 2014 këshillit të bashkisë miratimin e një shume modeste, prej 4 500 euro, si kontribut i qeverisë vendore në projektin ndërkombëtar SIMPLE, ku bashkia Durrës është partnere-përfituese, ku merr 90 mijë euro.

Kërkesa e Dakos mbështetet në kontratën subvencionuese nr. 309/2009 datë 11.2.2011, lidhur midis rajonit të Abruzzo-s në Itali dhe rajonit të Istria-s në Kroaci, si partnerë kryesorë, dhe në marrëveshjen e bashkëpunimit nr. 309/2009 datë 15.4.2011, lidhur midis rajonit të Istria-s dhe bashkisë Durrës, në kuadër të projektit SIMPLE, mbështetur nga Programi IPA ADRIATIC CBC 2007-2013.

Bashkia Durrës është përfituese e këtij projekti bashkëpunimi ndërkufitar i financuar në masën 85 për qind të buxhetit total nga Programi dhe 15 për qind nga fondet e institucionit së bashkisë.

Sipas menaxhereve znj. Valbonë Qiriako dhe Kornelia Klosi, Programi IPA ADRIATIC CBC 2007-2013 ka financuar që në fillim të projektit vetëm 20 për qind të buxhetit total si parafinancim, dhe më pas procedura financiare është që mbas kryerjes së shpenzimeve përkatëse, shpenzimi raportohet në një sistem online raportimi (MIS) dhe dosja fizike me të gjitha dokumentet shoqëruese dërgohet në nivelin e parë të kontrollit (FLCO) në Ministrinë e Integrimit, e cila për një periudhë kohore brenda tre muajve nga momenti i  dorëzimit fizik të dosjes duhet të lëshojë një dokument për vlefshmërinë e shpenzimit në mënyrë që të nisë procedura për rimbursim.

Bashkia Durrës ka dërguar në Ministrinë e Integrimit gjashtë raporte, nga të cilat është rimbursuar vetëm një.

Edhe pse afatet e rimbursimit janë të përcaktuara qartë në manualin e menaxhimit të projekteve IPA, ky proces vlefshmërie shpenzimesh dhe rimbursimi  ka zgjatur më shumë se një vit e gjysmë.

Për rrjedhoje vonesat në rimbursim kanë penguar ecurinë e projektit dhe realizimin e aktiviteteve, thonë znj. Qiriako dhe Klosi.

Projekti është në fazën finale të tij, por për shkak të vonesave në rimbursim dhe mungesës së gjendjes në llogarinë bankare të projektit, ka mbetur pa likuiduar shuma prej 4.500 euro ose 630.000 lekë.

Kjo shumë përfaqëson fatura të palikuiduara për promovime dhe ekspertizë të jashtme në kuadër të projektit.

Në mënyrë që të rimbursohet, dhe të mos krijojë kosto financiare për bashkinë Durrës në të ardhmen, kërkohet miratimi i këshillit bashkiak që të merret ky financim nga fondi rezervë për të likuiduar këtë shumë të mbetur, e cila do të rimbursohet në masën prej 85 për qind nga Programi.

Info

“Strengthening the Identity of Minority Peolple Leads to Equality” me akronim SIMPLE është një nga projektet fituese të Bashkisë Durrës në Programin IPA Adriatic Cross Border Cooperation 2007- 2013, përfshirë në përparësinë nr. 1: “Bashkëpunimi ekonomik, sociale dhe institucional”.

Projekti SIMPLE synon të arrijë kohezionin social në vendet e Adriatikut, nëpërmjet forcimit të larmisë së vlerave kulturore, për të përmirësuar kështu cilësinë e jetës dhe atraktivitetin e rajonit të Adriatikut.

Projekti SIMPLE është bashkëpunim inovativ institucional dhe ndërtues kapacitetesh, që demonstron sistemet e mundshme të qeverisjes vendore për zgjidhjen e çështjeve të pakicave.

Projekti SIMPLE prek pesë çështje kryesore të përjashtimit te minoriteve: aksesin në shërbime, tregun e punës, arsim, informacion, mbrojtjen sociale e grave dhe çështjet e barazisë gjinore, rritjen e ndjeshmërisë etno-kulturore.

Projekti SIMPLE promovon multikulturalizmin, respektin e ndërsjellë në njohjen e vlerave, larmisë dhe forcimin e identitetit të pakicave si faktorë të zhvillimit socio-ekonomik.

Plani i përfshirjes ka dy drejtime kryesore: përhapjen e modeleve dhe mjeteve të qeverisjes në vendet e Adriatikut (seminare dhe konferenca) dhe risitë në komunikim me anë të medieve tradicionale dhe ueb-sajteve (revista mujore online, transmetim lajmesh, dhënie çmimesh gazetarëve, fushata në shkolla dhe media kombëtare).

Krijimi i “Ditës ndërkulturore të vendeve të Adriatikut” do të jetë ngjarja simbolike për t’u dhënë vendeve të Adriatikut pamje më të gjerë të larmisë kulturore dhe mosdiskriminimit.

Observatori për Komunitetet Minoritare, i themeluar në rajonin e Istria-s Kroaci,  do të mbikëqyrë në mënyrë efektive vendet e Adriatikut mbi politikat e pakicave, si dhe do te jete një mjet i rëndësishëm për promovimin pro aktiv institucional për çështjet e minoriteteve.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/