DURRES, 11 shkurt 2013 – Në shkollat 9-të vjeçare të qytetit të Durrësit, po zhvillohet një veprimtari e dendur për përhapjen dhe propagandimin e vlerave të futbollit. Një e tillë u zhvillua ditët e fundit në shkollën 9-të vjeçare “E RE” në zonën e ish Kënetës së Durrësit.
Veprimtaria përfshiu vajza dhe djem, të cilët për më se dy orë zhvilluan ndërmjet tyre ndeshje futbolli në përmasat e fushave të minifutbollit. Nxënësit dhe nxënëset e kësaj shkolle pas kësaj, shprehen mjaft të kënaqur dhe entuziast për t’i përsëritur edhe në të ardhmen dukuri të tilla pikante.
Promovimi i vlerave të futbollit të kësaj shkolle u bë në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të FSHF-së në Durrës, që drejtohet me shumë pasion dhe profesionalizëm nga ish futbollisti i njohur i Teutës, Dritan Babamusta.
Ishte i pranishëm krahas nxënësve, mësuesve dhe drejtorisë së shkollës edhe përgjegjësi i futbollit amator pranë FSHF-së Millan Baçi. Babamusta shprehet me tone optimiste, që risi të kësaj natyre do të jenë të pranishme edhe në shkolla të tjera të këtij cikli në Durrës.