Edlira Troplini (Abdurrahmani), me librin e saj “Çamërishtja”, libër i cili është më tepër një monografi shkencore dhe i botuar pas një pune të gjatë kërkimore të autores gjatë viteve të studimeve doktorale në Universitetin e Tiranës, e vendos qartësisht dhe në mënyrë të padiskutueshme edhe të folmen e Çamërisë në hartën e dialekteve të shqipes. Por, më shumë se sa një studim i të folmes çame dhe i bashkëveprimit të kësaj të folme me dialektet e komuniteve pritëse ku u vendosën çamët pas dëbimit nga trojet e tyre, libri është një vlerë e shtuar në tërësinë e vlerave të kulturës dhe traditave të kësaj treve shqiptare dhe të përpjekjeve për evidentimin e tyre.
Pikërisht për këtë arsye, edhe takimi promovues i këtij libri në Pallatin e Kulturës, në Durrës, ishte shumë më tepër se sa thjesht promovimi i një libri. Takimi ishte padyshim pjesë e përpjekjeve për rivlerësuar atë pjesë të harruar, herë me dashje e herë pa dashje, të historisë së popullit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, në takim ishin mbledhur dashamirës të shumë të kauzës çame, të cilët shohin tek libri “Çamërishtja” një gur më shumë në themelin e ngrehinës së përpjekjeve për të vënë në vend dinjitetin e një populli të tërë. Në takim, karahas miqve dhe të afërme të autores, dhe krahas kolegëve të saj studiues në fushën e gjuhësisë, ishin të pranishëm dhe përshëndetën edhe Shpëtim Idrizi, deputet dhe kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, si edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Tahir Muhedini.





