14 vite punë voluminoze kërkimore për të sjellë para lexuesve monografinë “Kullat e Sahatit në Shqipëri”.

Ideja nisi si një dëshirë për të dokumentuar kullat e sahatit në trojet shqiptare, por më pas gjithçka u materializua në një monografi me rreth 500 faqe, ku përmes qindra fotove dhe materialeve të nxjerra nga arkivat autori Dritan Çoku realizoi një vepër, ndoshta e vetmja në llojin e saj.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, specialisti i monumenteve të kulturës pranë drejtorisë rajonale Berat, rrëfen se gjithçka nisi në vitin 2007, kur pasioni për të parë nga afër kullat e sahatit e çoi në të gjitha qytetet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, ku dhe nisi skicimin e secilës prej tyre.

Më pas, ideja u zhvillua më tej dhe Çoku e pa veten duke zgjeruar vit pas viti gamën e materialeve kërkimore, duke u përqendruar tek arkitektura e tyre, teknika e ndërtimit, ndryshimet që ato kanë pësuar në vite e shekuj etj.

Sipas tij, brenda kufijve shtetërore ka aktualisht kulla sahati në 21 qytete, ndërsa në të gjitha trojet shqiptare gjenden në 52 qytete.

Synimi i tij është që në të ardhmen të realizojë një monografi të re, këtë herë duke gjithëpërfshirë kullat e sahatit në të gjitha trevat shqiptare

“Synoj ta shtri këtë studim jashtë kufijve të territorit të Republikës së Shqipërisë, në trojet tona në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Çamëri”,– thotë Çoku.

Promovimin e monografisë në ambientet e Muzeut Arkeologjik Durrës, Çoku e shoqëroi edhe me një ekspozitë ku përmes dhjetëra grafikave, ai sillte për studiuesit dhe artdashësit të gjitha kullat e sahatit, që ka arritur të dokumentojë.

“Janë 74 punime, 73 prej të cilave janë në grafikë artistike dhe një është pikturë me bojëra vaji. Të gjitha këto kulla sahati që janë skicuar janë ato që ndodhen në trojet shqiptare. Disa prej tyre janë në dy variante, sepse me kalimin e kohës atyre u janë bërë adaptime në arkitekturë, por sidomos në funksionalitet. Prandaj shpesh në këto grafika shohim dy pamje të të njëjtës kullë, që ndryshon në harkun kohor të disa dekadave”,- thotë Çoku.

Duke u ndalur tek kulla e sahatit në Durrës, e realizuar në dekadat e para të shekullit të kaluar dhe e vendosur mbi godinën e bashkisë, Çoku ftoi specialistët e fushës ta studiojnë këtë objekt dhe të mbledhin të gjithë dokumentacionin përkatës për ta dërguar në Institutin e Monumenteve dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimit me qëllim njohjen e saj si Monument Kulture.

Kjo do të ndihmonte më pas që për këtë objekt të merren masa konservuese dhe restauruese”,- tha Çoku.

M.B.