Mes kolegësh shkrimtarë, studiuesish, njerëz të artit dhe kulturës dhe përfaqësues të komunës së Ishmit u promovua në Durrës libri më i fundit i autorit Agim Lika “Fjalë zemre për vendlindjen”.
Në një monografi letrare, që i përngjet një kolane artistike me mjaft vlera, shkrimtari dhe studiuesi Lika ka sjellë në këtë botim autorët e vjetër dhe të rinj, që komuna e Ishmit ka nxjerrë ndër vite.
“Kam shkruar 6 libra, të gjithë librat i kushtohen vendlindjes. Ky libër sjell bashkë të gjithë autorët ishmakë, shkrimtarët dhe poetët. I sjell në formën e një aureole, në mnyrë madhështore, për t’u njohur njerëzit me botimet e tyre”,– thotë për “DurrësLajm”, autori i librit.
Mes fletëve të monografisë, lexuesi njihet me disa nga emrat më të njohur të penës, që treva e Ishmit, një krahinë me tradita shekullore, i ka dhënë letërsisë dhe artit në Durrës, Shqipëri dhe më gjerë. Të pranishmit që morën fjalën vlerësuan punën disa vjeçare të autorit Lika për të sjellë në duart e lexuesve veprën artistike të personaliteteve më të spikatura të kësaj treve.
“Çdo libër që lexon të hap një drittare për të parë botën. Sikur nga një libër të marrim të gjithë ne këtu, jemi mbi 60 persona, i thonë 60 dritare të reja”,- tha ndër të tjera redaktori i monografisë, Kujtim Xhepexhiu.
“Agim Lika, me punën e tij që ka disa vite që vazhdon po tregon që është një bir i denjë i kësaj treve. Kjo tregon që është një zgjatim i bukur i bukurisë dhe vlerave të patjetërsueshme që kjo trevë e mrekullueshme i ka dhënë kombit tonë në vite e shekuj”,– deklaroi poeti dhe shkrimtari Agim Bajrami.
Botimi i kësaj monografie letrare është mbështetur nga një grup biznesmenësh të zonës, të cilët janë të fokusuar për t’i dhënë artistëve të kësaj treve gjithë përkrahjen e nevojshme për promovimin e veprave të tyre.
“Në bashkëpunim me gjithë shkrimtarët dhe poetët që janë në këtë zonë, në bashkëpunim me të gjithë bizneset e zonës së Ishmit kemi projekte që do të jenë në mbështetje të shumë aktiviteteve që lidhen me zonën e Ishmit, që të nxjerrim në pah vlerat e trevës”,– deklaroi biznesmeni Klodian Kërtusha, një nga mbështetësit kryesor të botimit të librit të autorit Lika.
Botimi “Fjalë zemre për vendlindjen” pritet të pasohet së shpejti nga një tjetër libër që autori Lika do ta botojë në bashkëautorësi.
Projekti i radhës do të jetë i fokusuar në zhvillimin e arsimit në trevën e Ishmit në harkun kohor 1946 – 2025.
M.B.