17 nëntor 2015 – Gentian Malindi, pronar i një anijeje peshkimi akuzon policinë kufitare se në mënyrë të përsëritur, i ka shkaktuar dëm ekonomik e moral. “Policia e Kufirit po ushtron kontrolle të vazhdueshme të përsëritura e pa arsye konkrete. Kontrollojnë për drogë në anijen time. Vijnë 20 punonjës policie, dhe po më persekutojnë, nuk jam kundër kontrollit , por jo atij me kosto ekonomike në xhepin tim”, thotë Malindi.

Gjatë kësaj të marte, anija e tij e peshkimit “Eniuej” iu nënshtrua dy kontrollove të njëpasnjëshme. “Para se të dilnim në det, u bë kontrolli rutinë nga punonjësit e policisë kufitare. Nuk jemi kundër ligjeve. Pasi përfunduan kontrollin na u dha leja për gjueti. Katër marinarë dolën, dhe pasi kishin lundruar për një orë në det të hapur, dy skafe të policisë kufitare kanë rrethuar anijen dhe i kanë kërkuar të kthehet në port. Sapo u kthye anija, me qen antidrogë dhe një numër i madh policësh janë futur në anije. Vetëm pamja ishte e tmerrshme. Nuk e di pse po veprojnë kështu, por janë 2 ose 3 anije gjithsej që po persekutohen në këtë mënyrë. Është kosto për ne, dhe policia u mjaftua vetëm me një 'Na falni për kontrollin'”,tregon Malindi.

Pronari i anijes tregon se janë katër punëtorë. Për një orë, anija do minimalisht 30 litra karburant. E përveç kostos ekonomike, është edhe prishja e imazhit. “Prej shpurës me polici e qen kufiri, po na pyesin të gjithë çfarë ka ndodhur, çfarë ju ka ngjarë? Ne jemi taksapagues të rregullt, paguajmë taksa, detyrime, sigurime shoqërore,për këtë do t’i denoncojmë në prokurori”, thekson pronari i anijes.

Prej disa javësh, një patrullë e policisë kufitare është stacionuar në sektorin e peshkimit në Durrës. Patrulla e policisë mbikëqyr çdo lëvizje që bëhet në këtë sektor, nga anijet dhe punonjësit.

(Për të parë videon e kontrollit të anijes së peshkimit nga ana e policisë, klikoni këtu: Kontrolli i anijes)

/K.H. portali DurresLajm/