Durrës, 31 korrik 2014 – Zanati i hajdutit ka vështirësitë e veta, sepse jo vetëm që mund të përfundosh i prangosur nëse të kap policia, por shpeshherë të duhet të kalosh pengesa të shumta derisa të realizosh vjedhjen.

Por rasti që do iu tregojmë ka qenë mjaft fatlum për hajdutët që kanë realizuar një vjedhje në zonën e Shkozetit, aq sa edhe vetë ata janë habitur me fatin e mirë që i ka shoqëruar gjatë ‘goditjes’ së rradhës.

Mëngjesin e sotëm forcat e policisë janë njoftuar për një vjedhje të realizuar gjatë natës në dyqanin e një 53 vjeçari në lagjen nr.14 të Durrësit.

Efektivët e rendit janë njoftuar nga vetë pronari i dyqanit ushqimor, shtetasi H.F. Kur kanë shkuar në vendngjarje, policët kanë konstatuar vjedhjen e shumës prej 10 mijë lekë, nje numer i konsiderueshem paketash cigareje me vlerë 20 mijë lekë si dhe dy telefonave celularë.

Por ajo që i ka habitur uniformat blu ka qenë fakti se nuk kanë gjetur asnjë gjurmë thyerje në dyqan. Kur kanë pyetur pronarin lidhur me këtë fakt ai u është përgjigjur: “Kanë marrë çelësin që e lë mbi derën e dyqanit”.

Policët kanë parë të habitur njëri-tjetrin. Në këtë valë vjedhjesh që ka plasur në qytet, të lësh çelësin mbi derën e dyqanit është si t’u thuash hajdutëve: “Bujrum, hajde më vidhni”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/