Pika nr.13 e rendit të ditës të mbledhjes së nesërme të Këshillit Bashkiak që lidhet me propozimin për planin e ri të tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve pritet të mos miratohet.

“DurrësLajm” mëson nga burime brenda grupeve të këshilltarëve bashkiakë se votat e tyre nuk do të shkojnë për miratimin e këtij projekt-vendimi.

Grupet e këshilltarëve opozitarë të koalicionit “Bashkë fitojmë” dhe Partisë Demokratike kanë konfirmuar tashmë votën e tyre Kundër.  

Votë Kundër pritet të jetë edhe nga grupet e këshilltarëve të partive të vogla, si grupi i Partisë SocialDemokrate dhe ai i PDIU-së, ndërkohë që burime jo zyrtare konfirmojnë për “DurrësLajm” se dhe vota e grupit socialist do të jetë Kundër apo Abstenim.

Anëtarët e grupit socialist do të mblidhen të premten, në orën 13.00, për të dalë me një qëndrim grupi lidhur me këtë pikë.

Thirrje publike për votën Kundër të këshilltarëve të majtë ka pasur gjatë gjithë ditës së sotme në rrjete sociale.

Pika shtesë e përfshirë në rendin e ditës është diskutuar sot në dy komisione, respektivisht në Komisionin e Rregullores dhe Çështjeve Juridike dhe në Komisionin e Strehimit dhe Shërbimeve Publike.

Komisionet me shumicë votash të anëtarëve kanë vendosur se pika shtesë e rendit të ditës ka bazë ligjore për të kaluar në Këshill, por duke qenë çështje sensitive do t’i kalojë për shqyrtim Këshillit Bashkiak.

Mbledhja e KB Durrës është njoftuar të mbahet nesër në orën 14.00, gjatë së cilës do të shqyrtohen 13 pika të rendit të ditës.

M.B.