Durrës, 2 maj 2014 – Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës ka prezantuar gjatë ditës së sotme planin e biznesit 5-vjeçar për periudhën kohore 2014-2018. Plani 5-vjeçar i kësaj ndërmarrje është financuar nga USAID dhe sfida kryesore e tij është reduktimi i humbjeve në rrjet, në mënyrë që të minimizohen kostot e prodhimit.

Një pikë tjetër me rëndësi e këtij plan biznesi është rritja e performancës financiare, që nënkupton zbatimin e praktikave komerciale në menaxhimin e shërbimeve, rritjen e normës së faturimit dhe arkëtimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të stafit menaxhues të kompanisë.

Në këtë plan biznes është parashikuar rritja e çmimit të ujit të pijshëm dhe tarifës së kanalizimeve duke filluar nga viti i ardhshëm. Kështu, sipas këtij plan biznesi parashikohet që nga 58 lek/m3 që është aktualisht uji për familjarët, në vitin 2015 do të bëhet 65 lekë, në vitin 2016 do të jetë 70 lekë dhe në vitet 2017 dhe 2018 do të arrijë në 73 lek/m3. Tarifa e kanalizimeve propozohet që nga 35 lek/m3, që është aktualisht, të shkojë deri në 50 lek në vitin 2018.

Ndërkohë, në prioritetet e kësaj ndërmarrjeje është edhe rritja e përqindjes së popullsisë së qarkut të Durrësit që furnizohet me ujë të pijshëm. Kështu deri në fund të vitit 2018 parashikohet që të mbulohet  furnizimi me ujë të pijshëm për 92 % të popullsisë, nga 81% që është aktualisht.

Ekspertët që kanë hartuar planin e biznesit kanë theksuar se Durrësi ka një sistem të komplikuar të furnizimit me ujë të pijshëm, pasi nga vendburimet deri në Durrës linja kalon në tre qarqe, ndërsa humbjet e ujit janë të mëdha, për shkaqe teknike dhe administrative.

Nga ana tjetër, investimi që pritet të nisë për një linjë të re të ujësjellësit vetëm për qytetin e Durrësit në sajë të marrëveshjes së firmosur me BB, është një sinjal i mirë se në përfundim të tij qyteti i Durrësit do të ketë 24 orë ujë.

Deri në fund të këtij plani parashikohet edhe instalimi në masën 100 % i ujëmatësave, ndërkohë që llogaritet që në këtë periudhë sasia ditore e konsumuar për banor në ditë të jetë 110 litra ujë. Prodhimi aktual i ujit nga stacioni i Fushë Kuqes dhe ai i Fushë Krujës është rreth 74 mijë m3 ujë në ditë.

Lidhur me nivelin e humbjeve, në fund të vitit 2018 parashikimet janë që ato të zbresin në shifrën e 50 %, nga 71.5 që është aktualisht. Lidhur me arkëtimet, nga 68 % që është aktualisht kjo shifër, pas pesë vitesh parashikohet të jetë 90 %.

 

Performanca aktuale e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës

–         Uji pa të ardhura  – 71.5 %

–         Arkëtimi  – 68 %

–         Mbulimi i shërbimit të furnizimit me ujë  – 81 %

–         Pajisja me ujëmatës (konsumatorë familjarë) – 80 %

–         Sasia e ujit të prodhuar për banor litra/ditë – 280

–         Furnizimi me ujë 7.5 orë në ditë

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/