• Nën diellin e nxehtë të mesditës së 28 gushtit 2014 qëndruan trimërisht Altin Goxhaj me çetën e “partizanëve” prej 26 vetash

 

DURRËS, 28 gusht 2014 –  Pasi më 27 gusht 2014, ora 13:00, nuk erdhi askush në protestën për mbrojtjen e shatërvanit në Durrës, SHQUP-i dërgoi të deleguar më 28 gusht 2014 një funksionar të vetin, i cili me modesti u paraqit si “qytetar i thjesht durrsak”, por deri në orën 13:00 u mblodhën 26 veta që dolën në fotografi para shatërvanit dhe vendosi që protesta të shtyhej sërish për në orën gjashtë të 29 gushtit 2014.

Megjithatë, ndonëse u mblodhën 26 veta (numërojini në foton e bërë nga ZMK-  Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit), SHQUP-i e konsideron si ditën e parë të protestës atë të 28 gushtit 2014: “Të premten 29 gusht, ora 18:00, dita e dytë e protestës së shoqërisë civile para bashkisë Durrës”.

Është për t’u vlerësuar stoicizmi dhe vetëmohimi i organizatorit të protestës, z. Altin Goxhaj, që qëndroi mbi 40 minuta nga ora 12:50-13:30 nën diellin përvëlues së bashku me çetën e tij të vogël.

Madje, edhe pse i kishin dhënë fjalën në FB 350 veta, Goxhaj nuk u mërzit fare nga numri i vogël prej 26 vetash (duke numëruar dhe atë vet).

Madje, me shumë gjallëri ndihmoi dhe televizionin vendor  Adrianet.tv, duke zëvendësuar gazetarin e pranishëm, që mbante vetëm mikrofonin, kurse pyetjet i bënte Altini, duke nxitur njerëzit.

Njëri nga protestuesit, i moshuar, tha se, pavarësisht se shatërvani nuk ka vlera skulpturore dhe arkitektonike, ai përfaqëson dëshirën e durrsakëve që sponsorizuan me flori ndërtimin e tij; është një shatërvan i ndërtuar në 1928 bashke me bashkinë e Durrësit; është identiteti i qytetit që kur u themelua shteti shqiptar sepse ishte i pari simbol europian pas 500 vjetësh pushtim otoman në Durrës (këto fjalë i ka përdorur në postimin në FB edhe Goxhaj).

Kulmi i aktivizmit të drejtorit të ZMK-së, ishte kur ndihmoi administratorin e ekranit të vogël dhe drejtor i Logjistikës në SHQUP, z. Arqile Gorea, t’i hiqte turpin dhe të fliste para vartësve të tij dhe gazetarit të “Dyrrah”-ut; natyrisht, e dëgjuan dhe disa nga 26 “partizanët” e çetës së Goxhajt.

Me shumë modesti, z. Gorea (kryebashkiaku i Durrësit i fundit të shekullit XX dhe fillimit të mijëvjeçarit) foli si qytetar i thjeshtë, si përfaqësues i denjë i shoqërisë civile, duke denoncuar një nga pasardhësit e tij, z. Vangjush Dako.

Madje, z. Gorea premtoi se do të përgatiste një material për projektin dhe zhvendosjen e shatërvanit.

Është e turpshme, teksa fliste z. Gorea, punëtorët ndezën motorin e një vinçi te shtylla e neonit në cep të katrorit të lulishtes së shatërvanit, që ndaluan me ndërhyrjen e vetë z. Gorea.

Në fund, z. Goxhaj u bëri thirrje shoqatave, organizatave të ndryshme të Durrësit, pensionistëve, arkitektëve, intelektualëve durrsakë dhe jo durrsakë por që punojnë në Durrës; studentëve dhe pedagogëve durrsakë dhe jo durrsakë të universitetit publik (janë me pushime!), të marrin pjesë në protestat e përditshme para shatërvanit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/