DURRËS, 7 dhjetor 2014 –  Ashtu siç ishte paralajmëruar nga SHQUP-i, edhe PD-ja e Durrësit ka mbështetur, të dielën, më 7 dhjetor 2014, protestën e dytë, brenda pak ditësh, të rreth 300 banorëve të ish-kënetës, të mbetur pa energji elektrike prej javësh. Pjesëmarrësit ishin kundër vendimit të qeverisë për ndërprerjen e furnizimit për konsumatorët debitorë e rritjen e çmimit.

Forca të policisë kanë mbikëqyrur manifestimin pranë mbikalimit, ku përgjithësisht ka pasur incidente të vogla si hedhje shashkash, gurësh në rrugë, ndonjë zjarr të vogël dhe ndonjë përplasje të lehtë midis uniformave blu dhe banorëve të revoltuar. Protestuesit thoshin se nuk janë kundër zbatimit të ligjit, por nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike pasi çdo ditë po përballen me papunësinë.

Banorët marshuan me pankarta në duar në rrugën e re të ish-kënetës, duke bllokuar për disa minuta qarkullimin e automjeteve.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/