“Nuk i duam plehrat”. Me këtë thirrje nisi një protestë para bashkisë së Durrësit kundër importimit të plehrave në Shqipëri.

Shoqëria civile ka dalë me pankarta në duar në një protestë për të kundërshtuar importin e mbetjeve në Shqipëri. Të rinj të Kishës Katolike, të Universitetit “Aleksandër Moisiu” etj kanë protestuar para bashkisë së Durrësit, duke i bërë apel kryeministrit shqiptar dhe parlamentit të pezullojë ligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme në vendin tonë.

Dom Gergj Meta, famulltari i kishës Shën Luçia në Durrës, ka dalë në mbështetje të protestuesve. Nëpërmjet deklaratave, të rinjtë i kërkuan qeverisë të rishikojë ligjin e importimit të mbetjeve, ndërsa kreut të bashkisë së Durrësit që të instalohet teknologjia me zero mbetje.

“Importimi i plehrave në kushtet kur Shqipëria po mbytet nga plehrat e saj është kriminale. Në procesin e riciklimit dhe të mbledhjes të integrohen njerëzit që aktualisht sigurojnë mbijetesën duke mbledhur shishe, hekura e mbeturina të tjera në kazanët e mbeturinave urbane. Nuk tërhiqemi nga beteja jonë, Shqipëria është e jona dhe e duam të pastër” thanë të rinjtë.