Qendra e konsumatorit shqiptar ka organizuar një protestë për përmirësimin e shërbimit të transportit publik urban në qytetin e Durrësit. Të rinjtë me pankarta në duar, kanë dalë në sheshin “Liria” duke kërkuar përmirësim të shërbimit urban nga ana e bashkisë së Durrësit. Ata kanë thënë se kjo qendër e konsumatorit është zëri qytetar në lidhje me ankesat që kanë qytetarët për transportin urban.

Të rinjtë, në pankarta, janë shprehur kundër rritjes së çmimit të biletave, por njëkohësisht kanë kërkuar angazhim serioz nga ana e pushtetit lokal në këtë drejtim. Pak ditë më parë, qendra e konsumatorit shqiptar bëri publik në bashkinë e Durrësit, raport-monitorimin e tre linjave urbane të qytetit të Durrësit, monitorim i bërë për vitin 2017.  

Nga monitorimi i kryer nga qendra e konsumatorit rezultoi se problematikat me të cilat ndeshen qytetarët durrsakë në marrjen e shërbimit urban në tre linja të monitoruara, Durrës – Plepa, Durrës -Currila, Durrës – Kampusi Universitar është e madhe dhe e ndryshme. Nga monitorimi ka rezultuar se në shërbimin urban që u jepet qytetarëve mungon monitorimi nga autoriteti vendor. Numri i mjeteve është i pamjaftueshëm, ka mungesë higjiene, mbipopullim, nuk respektohen oraret e nisjes dhe mbërritjes, mungojnë vijëzimet në stacione, etj.

Esida Teliti, kryetare e qendrës së konsumatorit shqiptar, gjatë raportit të paraqitur midis të tjerash tha se nuk kanë munguar as rastet kur qytetarët kanë denoncuar se edhe shoferi i autobusit edhe fatorino janë të dehur tapë dhe qytetarët nuk kanë numra emergjence se ku të telefonojnë e të ankohen.

K.H.