· Ndërsa Ministria e Financave po bashkëpunon me dikastere të tjera për zgjidhjen e mënyrës së taksimit të ambulantëve, Task Forca u kërkon të regjistrohen në drejtorinë rajonale të tatimeve
DURRËS, 18 qershor 2014 – Rreth 1 200 tregtarë të të dy tregjeve industriale të qytetit të Durrësit kanë protestuar të mërkurën, më 18 qershor 2014, që në orët e para të mëngjesit, kundër taksimit si biznes i vogël.
Një ditë më parë, më 17 qershor 2014, tek ata ka shkuar Task Forca e tatimeve të Tiranës dhe Durrësit.
Kalimin nga tregtarë ambulant në biznes të vogël e kundërshtojnë në një kohë që edhe fuqia blerëse ka rënë.
Nëse një vit më parë tregtarët paguanin 45 mije lekë në vit taksa vendore, aktualisht ata janë të detyruar të paguajnë 110 mije lekë.
Ata nuk do të regjistrohen më në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, por në drejtorinë rajonale të tatimeve.
Në kushte të tilla ky grup tregtarësh hyn në subjektet që kanë nivelin e xhiros nga 0-2 milionë lekë dhe duhet të paguajnë tatimin e thjeshtuar në masën 25 mijë lekë në vit.
Gjithashtu, u shtohet edhe shuma 1 294 lekë në muaj për sigurimet shëndetësore në bazë të ligjit.
Kjo gjë deklarojnë protestuesit do t’i rrënojë ekonomikisht.
Më parë këta tregtarë i kanë paguar taksat pranë bashkisë, duke mos paguar tatimin e thjeshtuar, por një shume fikse më të vogël.
Sipas Myslym Çokut, kryetarit të Shoqatës së Tregtarëve Ambulantë të Durrësit, ky veprim nga drejtoria rajonale e tatimeve është bërë në një kohë që nga Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Makroekonomike dhe Fiskale dhe nga Drejtoria e Politikave dhe Marrëdhënieve Fiskale në Ministrinë e Financave u është thënë atyre dhe Kryeministrisë, nëpërmjet një shkrese zyrtare të 6 qershorit 2014 se letra e tyre është draftuar dhe dërguar për mendim pranë ministrive të linjës për ndryshime ligjore në legjislacionin fiskal, ku do të gjejnë zgjidhje edhe kërkesat e tregtarëve (shih foton).
Shkuarja e përfaqësuesve të Task Forcës i ka revoltuar tregtarët, të cilët për rreth një orë kanë protestuar dhe kanë deklaruar se do të përshkallëzojnë veprimet e protestat, pasi janë shumë të varfër dhe se taksimi i tyre tyre do të shtojë numrin e te falimentuarve, që mezi po mbijetojnë edhe në këto kushte të vështira krize ekonomike.
Disa prej protestuesve kanë deklaruar se kërkesat e tyre duhen mbështetur nga shteti, ashtu siç po mbështeten me politika lehtësuese fiskale edhe fasonët.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





