Durrës, 21 mars 2014 – Tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tregun Industrial të qytetit kanë mbyllur qepenat mëngjesin e sotëm dhe kanë bllokuar për disa minuta rrugën në shenjë proteste kundër vendimit të Këshillit Bashkiak Durrës për rritjen e taksave.
Tregtarët kanë deklaruar se rritja e taksave vendore në paketën fiskale të vitit 2014, nuk bën gjë tjetër veçse i çon këta të fundit drejt falimentimit të sigurt. Në një kohë kur fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, tregtarët deklarojnë se e kanë të pamundur të shlyejnë taksën e vendit që duhet t’i paguajnë privatit dhe taksat vendore që janë dyfishuar në vlerë krahasuar me një vit më parë. Nëse një vit më parë ata paguanin 45.000 lekë në vit taksa vendore, në 2014 do të jenë të detyruar të paguajnë 110.000 lekë.
Sipas Myslim Çetës, kreut të shoqatës së tregtarëve të Tregut Industrial, rreth 1300 të vetpunësuar në këtë treg dhe që mbajnë familjen me të ardhurat që nxjerrin nga kjo tregti rrezikojnë t’i shtohen armatës së të papunëve, nëse pushteti vendor nuk rishikon vendimin e tij për rritjen e taksave.
Çeta ka paralajmëruar se nëse kjo protestë e sotme e tyre nuk merret parasysh dhe bashkia nuk reflekton për të ulur barrën fiskale ato do t’i vazhdojnë protestat e tyre. Të hënën, tregtarët kanë paralajmëruar një tjetër protestë, këtë herë para bashkisë dhe prefekturës për t’i lëshuar një sinjal të fortë institucioneve vendore.
INFO
Paketa e re fiskale është shoqëruar me rritje të ngarkesës fiskale. Shembull: në qoftë se një tregtar, në një treg të miratuar, deri në vitin 2013, ka paguar taksën vendore mbi biznesin e vogël në vlerën prej 8 000 lekë, duke filluar nga janari i vitit 2014 do të paguajë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël në vlerën prej 25 000 lekë.
Bashkia Durrës, aktualisht, ka një kontratë vetëm me tregun bujqësor, dhe ky i fundit në bazë dhe të udhëzimit të lartpërmendur personat që ushtrojnë aktivitet në këtë treg konsiderohen “persona të vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant”.
Për sa u përket tarifave vendore, në paketën e re fiskale, orientuar nga ndryshimet që pësoi ligji Nr. 9632 datë 30.10.2006 “Për sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore”, personat e vetëpunësuar, që kryejnë tregti apo shërbime individuale në tregjet e miratuara nga organet e qeverisjes vendore, është përcaktuar që tarifa e gjelbërimit të jetë 2 500 leke ne vit dhe sipas pikës 4, të tabelës nr. 6, “institucione dhe njësi të tjera që nuk përfshihen në kategoritë dhe nënkategoritë si më lartë”, tarifa e pastrimit për tregun bujqësor 10 000 lekë/vit dhe për tregjet industriale 15 000 lekë/vit.
Duke iu referuar udhëzimit Nr. 1 datë 12.1.2007, “Për përcaktimin e veprimtarive që trajtohen si tregtare apo shërbimi ambulant si dhe procedurat e regjistrimit të tyre në organin tatimor” , i cili u referohet vetëm tregtarëve në tregun bujqësor, administrata e bashkisë propozoi dhe u miratua me votat e mazhorancës që të përfshihen edhe tregtarët nëpër tregjet industriale, konkretisht: tregu industrial l. 17, tregu industrial l. 12, tregu bujqësor l. 12.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





