Durrës, 10 qershor 2014 – PS e Durrësit po diskuton në fshehtësi emra nga ku do të dalë pasardhësi i drejtoreshës aktuale të arsimit në Durrës Lindita Muka, e cila pritet të shkarkohet gjatë muajve të verës, shkruan sot gazeta “Bulevard”.

“Pa as më të voglin dyshim ka një konsensus të gjerë në drejtimin e PS dhe një reaksion të madh nga baza për mënyrën e keqe që po drejtohet arsimi në Durrës duke u bërë ndoshta viti më i keq që ka përjetuar arsimi dhe pse duhet të ishte viti i rilindjes së tij nga ata që e drejtuan për tetë vite”,citon gazeta një burim të sajin.

“Bulevard” i referohet edhe një deputeti të PS në Durrës sipas të cilit performanca e kësaj drejtorie është zhgënjimi më i madh që kjo qeveri ka pësuar në qytetin bregdetar dhe se normalisht pavarësisht asaj që ndodhi me konkursin dhe e shpalli atë fituese, arsimi në Durrës është në nivele zhgënjyese.

“Ka një lloj hendeku që ajo po e krijon vetë, me dashje duke tentuar të japë një model të ri ndryshe nga programi i PS për arsimin, por që në fakt jo vetëm nuk i ka kapacitetet për ta bërë këtë po ata njerëz që ka mbledhur përreth thjesht po tregon se është pasardhëse e denjë e Filip Gjoncit dhe e Mira Bllanit si dy nga drejtuesit me performancën më të keqe të arsimit në këtë qytet”, është shprehur deputeti i PS.

Deputeti vijon më tej duke thënë se ka qindra e qindra informacione për sjelljen arrogante të Mukës, për lëvizje pa kriter dhe shpesh duke i motivuar si lëvizje politike, kur në fakt gjysmën e drejtorëve e ka të PD dhe për më shumë, shumë nga nën drejtorët ose nuk kanë lëvizur fare ose i është gjendur punë ndonjërit që është përfolur për drejtimin e tij në shkollë. Ndërkohë denoncime të tjera flasin se po punësohen njerëz me pagesë, gra biznesmenësh dhe se në këtë drejtori tashmë janë shfaqur dhe sekserët.

Ndërkohë që situata në të cilën është përfshirë arsimi dhe aq më shumë disa skandale të kohëve të fundit ku drejtorët e emëruar sillen si shefa komisariati në shkollë, niveli i ulët i atyre që janë emëruar dhe aq më shumë paaftësia e atyre që nuk janë lëvizur përfshi dhe stafin e vetë drejtoreshës ka bërë që PS të mendojë tashmë seriozisht për ta zëvendësuar kreun e arsimit në Durrës.

Burime nga PS kanë bërë të ditur se tashmë janë katër emra të cilët po diskutohen në grupin e punës dhe nëpërmjet deputetëve, ndërsa shkarkimi i Lindita Mukajt mund të bëhet pas mbylljes së vitit arsimor për të mos krijuar probleme. Edhe pse janë katër emra duket se PS-ja ka zgjedhur emrin që do ta drejtojë dhe sipas burimeve që nuk e bëjnë të ditur atë, ai është një nga pjesëmarrësit në konkurs dhe madje një nga ata që u radhit në emrat e parë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/