DURRES, 13 prill 2013 Nga qyteti i Durrësit ku PS prezantoi programin “Për një Rilindje Kombëtare”, kryetari socialist Edi Rama foli me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha. Sipas Ramës, vlerat historike që gëzon Durrësi, falë qytetërimeve të zhvilluara ndër epoka të caktuara i zhbëri qeveria e Berishës. 

“Sot jemi të vetëdijshëm se Durrësi kjo bashki bashkë më Krujën janë 2 pika shumë të forta strategjike për të filluar rrugën e rilindjes. Romakët ndërtuan në Durrës, amfiteatrin më të madh jashtë Romës, ndërsa qeveria e Saliut e bëri Durrësin, pikë hyrje për plehrat që vijën nga Europa. Ne do ta kthejmë Durrësin në një kantier të një transformimi historik. 
Sikur amfiteatrin e Durrësit ta kishin serbët do e kishin kthyer në arsye më shumë për veten, vend peligranazhi për të treguar se cfarë qytetërimesh kanë kapluar vendin tonë. Kushedi se cfarë legjendash më shumë do kishin prodhuar, po të kishin kështjellën e Skënderbeut, heroit më të madh në Europë. Ne i kemi lënë nën pluhurin e një pluhuri e barbari që do marrë fund më 23 Qershori”, tha Rama. 

Fshati

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e cilësoi kryeministrin, Sali Berisha si një turist të sapozbritur në Shqipëri që po zbulon vendin. Duke iu referuar takimeve të Berishës në kuadër të hartimit të programit të PD-së, Rama tha se rezultati i këtyre takimeve është një konfuzion dhe një propagandë që nuk rri dot më në këmbë, sepse shifrat kundërshtojnë njëra- tjetrën. 

Rama iu referuar edhe Konventës së një dite më parë të PD-së për fshatin, ndërsa tha se si në 2009 ashtu edhe në 2013, Berisha premtoi të njëjtën gjë. 

“Menjëherë pas rikonfirmimit si Kryeministër me vota të vjedhura në 2009, Saliu tha në fjalën e tij të programit se, qëllimi i gjithë kësaj është që rrugët e fshatrave të Shqipërisë të llamburisin njësoi si të qyteteve, dhe dje në Konventë tha se në katër vitet që vijnë çdo fshat do të llamburisë njësoj si lagjet e qyteteve tona.” 

Sipas Ramës fshati shqiptar vazhdon humbasë kohë, potenciale, energji dhe shpresa në rrugën e rrënimit të mëtejshëm.

“Tani ka zbuluar fermat, dhe i kishte thënë njëra, që punëtorët nuk kanë shumë njohuri mbi lopët dhe ai tha do rrisim profesionalizmin në shkolla për këtë. Ky është nivel që fyen lopët dhe jo më shqiptarët që jetojnë në fshat”.

“Ekonomia e kërcënuar”

Kryetari i PS theksoi se nëse nuk ndërhyhet menjëherë, ekonomia shqiptare rrezikon seriozisht. 
“Nëse nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë dhe për mbrojtjen e tyre, deklaroi Rama duke iu referuar siç tha ai, të dhënave të Bankës së Shqipërisë. 

“Sot pranohet zyrtarisht se 2012 ka pasur rritjen më të vogël ekonomike që prej 2007. BSH pohon se fuqia blerëse ka rënë 10%, për shkak se pagat kanë rënë me 10%. Tendenca rënëse vazhdon edhe në dy muajt e parë të 2013, jemi në kushtet e fundosjes se të ardhurat nga emigrantët, burimi kryesor në vend, vazhdojnë të tkurren. Janë 430 milion dollarë më pak se në 2007, që i mungojnë ekonomisë dhe s’janë kompensuar me të ardhura të tjera. Është përgjegjësi e qeverisë që ta kompensojë me të ardhura të tjera. Rënia e remitancave, evazioni fiskal, korrupsioni, ku mund të shkojë Shqipëria me këtë pushtet edhe katër vite të tjera vetëm në rrugën e rrënimit dhe dështimit. Nëse sot nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë, jemi të vendosur të gjejmë rrugët e bashkëpunimit edhe me palën tjetër për të garantuar financat e vendit. Ja ku erdhëm pra, i kemi paralajmëruar që të gjitha këto, kemi bërë parashikimet e përshkallëzimit të krizës, aq sa edhe institucionet ndërkombëtare kanë ardhur afër parashikimeve tona. Ne na duhet një politikë punësimi real, e bazuar në një plan punësimi të detajuar për të krijuar mundësitë për 300 000 vende pune në katër vitet e ardhshme,” nënvizoi Rama. 

Punësimi

Kryetari socialist tha se, nuk mund të vazhdohet kështu, kur në vend ka 1 milion të papunë. “Duhet një politikë punësimi real brenda një projekti strategjik për të krijuar mundësi për 300 mijë vende pune në 4 vitet e ardhshme. Jemi në kushtet kur ekonomia shqiptare po rrënohet,” sqaroi Rama në takimin për programin në qytetin e Durrësit 

“Kryeministri bridhte në Shqipëri dhe thoshte hapim vende pune të padukshme. Në cdo vend normal thirret para një komisioni mjeko-ligjor ky njeri që bën deklarata të tilla, për të verifikuar kapacitetin logjik të personit ndërkohë që kryeministri kaloi nga 100 mijë, tani e ka bërë 200 mijë, por INSTAT, por ky burim zyrtar i infektuar nga politika dhe e nxirrte Saliun në borxh me 211 mijë vende pune”.