DURRËS, 1 shtator 2014 –  Teksa shoqëria civile tiranase, me mbështetjen e medieve të opozitës dhe disa drejtuesve vendorë të PD-së, po arrin tashmë sukses në ndërgjegjësimin e opinionin publik durrsak për ruajtjen e shatërvanit në qendrën administrative të qytetit, deputeti z. Sali Berisha, që nuk lë gjë pa komentuar, po hesht.

Mund të hamendësohet se lideri historik i PD-së nuk e sheh të arsyeshme të komprometojë OJQ-në.

Nga ana tjetër, disa këshilltarë dhe drejtues vendorë blu, që dinë më shumë, jo vetëm që nuk po prononcohen publikisht, por qeshin nën buzë.

Thjesht, e dinë që OK-in për projektin e rikualifikimin e sheshit “Iliria” / “Liria”, në këmbim të favoreve për leje ndërtimi për rrethin e ngushtë afër PD-së, e ka dhënë vetë ish-Kryeministri, z. Sali Berisha.

Mjafton të përmendet fakti që në jurinë ndërkombëtare, e cila nxori fitues projektin italian, që parashikon heqjen e shatërvanit, bënte pjesë edhe arkitekti z. Marin Biçoku nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, sekretari i ish-KRRTRSH-së, njeriu më i besuar i kreut të Ekzekutivit.

Info1. Nano-Berisha

Është interesant fakti që Instituti i Monumenteve të Kulturës, kur drejtohej nga opozita e sotme, nuk ka pranuar ta përfshijë shatërvanin në listën e monumenteve të kulturës.

Por ekziston edhe një argument tjetër: nuk ka pse përfshihet shatërvani në listën e monumenteve të kulturës, përderisa më 21 gusht 2002 ish-Kryeministri Fatos Nano nxori VKM Nr. 3 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”, duke ia lënë kompetencë KRRTRSH-së (shih faksimilen), ku përmenden edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe struktura të Akademisë së Shkencave.

Madje me nënshkrimet e z. Fatos Nano si kryetar i KRRTRSH-së dhe z. Lefter Koka si kryetar i KRRT-së bashkisë së Durrësit u miratua harta e qendrës historike të qytetit të Durrësit (shih faksimilen).

Këtë VKM nuk e anuloi z. Berisha.

Ndërkohë më 10 maj 2013, një muaj e gjysmë para zgjedhjeve të përgjithshme, z. Berisha, me cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, miratoi Instrumentin e Përgjithshëm Vendor të Bashksië Durrës (shih faksimilen).  

Info 2. Berisha-Dako

Ish-lideri i shumicës qeverisëse, z. Sali Berisha ka pasur dy herë kontakte publike me qytetarin nr. 1 të Durrësit, Vangjush Dako: para 7 vjetësh e ca, menjëherë pas fitores së mandatit të parë, kur z. Dako mposhti rivalin blu, z. Armand Teliti , ku “kumbar” u bë kantautori i njohur z. Ardit Gjebrea; para 3 vjetësh, kur “kumbare” për takimin e Kryeministrit shqiptar me regjisorin amerikan të “Kumbarit” ishte znj. Anilë Varfaj, bashkëshorte e nënkryetarit të bashkisë, z. Zhulien Varfaj.

“PËRGËZOJ KRYETARIN E BASHKISË SË DURRËSIT”

Kryeministri Berisha iu bashkua më 5 tetor 2007 nismës “Një këngë, një pemë” të artistëve, pjesëmarrës në evenimentin kulturor “Kënga magjike”, në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.

Përgëzoj organizatorët dhe kryetarin e bashkisë së Durrësit për nismën e marrë dhe i siguroi se në këtë nismë do të kenë mbështetjen e plotë e të gjithanshme nga qeveria. Ne i qëndrojmë nismës së shpallur asfaltim-gjelbërim dhe kjo do të jetë një nga nismat më pozitive për të sotmen dhe perspektivën e qytetarëve”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, organizatori i këtij evenimenti Ardit Gjebrea dhe artistët, mbollën nga një pemë në bulevardin kryesor të qytetit.

Kryeministri ka shprehur edhe kënaqësinë që së bashku me artistët mbjell në këtë qytet një pemë, në shenjë të besimit te Durrësi dhe tek e ardhmja.

Duke e vlerësuar Durrësin jo vetëm si epiqendër e kulturës kombëtare dhe e trashëgimisë së madhe kulturore të të gjitha kohërave, por edhe si portën e Shqipërisë me Perëndimin, z. Berisha theksoi:

“Durrësi është qyteti, që pas Tiranës, ka dhe do të ketë impaktin më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit, një qytet që ridimensionohet shumë. Një mik i madh i kombit shqiptar e ka krahasuar Durrësin me iriqin. Dhe ky është Milan Shuflai. Në kohëra të mira Durrësi hapet dhe lulëzon dhe koha më e mirë për Durrësin vjen në vitet që vijnë. Korridori Durrës-Prishtinë është korridori që i jep Durrësit të gjithë peshën e madhe në Adriatik dhe e bën atë vërtet një port rajonal”.

NË AMFITEATËR

Tre vjet më parë, më 1 shtator 2011, kryetari i bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, nën patronazhin e të cilit zhvillohet Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit, ku drejtore artistike është zonja Anilë Varfaj, bashkëshorte e zëvendëskryetarit të bashksië, z. Zhulien Varfaj, së bashku me Kryeministrin z. Sali Berisha, bashkëshorten e tij, znj. Liri Berisha, ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, ndoqën shfaqen e filmit “Rini pa rini” dhe “Tetro” të regjisorit të famshëm Francis Ford Coppola, në amfiteatrin antik të Durrësit (në foto)

“Kumbarja” ishte e pranishme dhe në darkën e shtruar nga z. Berisha për z. Coppola.

Sipas shtypit të kohës, para se të fillonte filmi, z. Berisha u ngacmua nga kryetari i bashkisë Dako, i cili e uroi kryeministrin si spektator në këtë festival dhe e ftoi të bëhej mbështetës i këtij eventi kinematografik.

Pasi mbaroi filmi, kryeministri ka takuar aktoren e madhe, Claudia Cardinale dhe është përshëndetur edhe me deputetin e PS-së z. Blend Klosi.

Por në vend që ta pyeste për veten z. Klosi, z. Berisha u interesua për z. Rama: “Po Ramën ku e ke Blend?!”

Z. Klosi : “Rama ka punë”.

Batutë që është ripërsëritur me të qeshura nga z. Berisha.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/