Ndonëse i detyrueshëm për të mirën tonë dhe të atyre që duam, izolimi për një kohë të gjatë krahas mbrojtes nga koronavirusi, shkakton shqetësime psikologjike te njerëzit.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, psikologia Erida Meta sqaron se bëhet fjalë për luhajtet emocionale që përftohen si pasojë e ndryshimit të stilit të jetesës; stres, ankth, nervozizëm.

Sipas saj, në kushtet e izolimit situata bëhet më e vështirë për t’u përballuar duke qenë se nuk mund të marrim shërbim të specializuar psikologjik, ndaj për të gjithë ndjekësit tonë, psikologia Meta jep disa këshilla mjaft të vlefshme për këtë periudhë, lidhur edhe me fëmijët.

Nëse për t’u përshtatur me kushtet e reja që po jetojmë për javësh na mori kohë, psikologia e njohur në Durrës thotë se rikthimi në gjendjen e mëprashme do të jetë një kapërcim më i lehtë ndonëse do të jetë përsëri një ndryshim i stilit të jetesës.

– Çfarë shkakton vetëizolimi në shtëpi për një kohë të gjatë?

Duke u nisur nga situata në të cilën ndodhemi, vetëizolimi është i domosdoshëm për të mos rrezikuar jetën tonë dhe të familjarëve. Megjithatë, gjatë vetëizolimit mund të ndeshemi edhe me disa shqetësime psikologjike, sidomos kur bëhet fjalë për një periudhe kohore të gjatë.

Shqetësime të tilla psikologjike përfshijnë: luhatjet emocionale që përftohen si pasojë e ndryshimit të stilit të jetesës (oraret, puna, argëtimi, etj.), stres, ankth, nervozizëm.

Por vlen të theksohet se efektet anësore të lartpërmendura që mund të shoqërojne izolimin zvogëlohen kur kemi të bëjmë me një izolim kolektiv dhe jo me izolim të një grupi të caktuar njerëzish. Gjithashtu, individët duhet të mbajnë në konsideratë faktin që në fund të ditës qëllimi për të cilin jemi vetëizoluar është madhor, pasi bëhet fjalë për të mbrojtur jetën tonë.

– Si mund ta përballojmë ankthin?

Në kushtet e izolimit dhe pamundësisë për të marrë një shërbim të specializuar psikologjik, përjetimi i ankthit apo ndonjë shqetësimi tjetër psikologjik mund të vështirësojë përballimin e situatës.

Në këto rrethana,  do të sugjeroja zhvillimin e aktiviteteve të shumta gjatë ditës (individët mund të krijojnë vetë një listë me aktivitete çdo ditë dhe më pas t´i përmbushin ato). Duke u marrë me aktivitete të ndryshme  jo vetëm arrin të mbushësh kohën tënde, por kjo mundëson gjithashtu,  zhvendosjen e mendimeve negative, për pasojë stresi apo ankthi do të ulet.

Një tjetër sugjerim i rëndësishëm është shmangia e informacioneve negative apo pamjeve jo të këndshme që shfaqen në televizione, të cilat mund të rrisin nivelin e ankthit.

Gjithashtu aktivitetet fizike janë një mënyrë e mirë për lehtësimin e shqetësimeve të ankthit. Bashkëpunimi apo zhvillimi i bisedave ose trajtimi i temave të ndryshme me familjarët është një tjetër mënyrë pozitive për kapërcimin e kësaj situate.

Leximi i librave të ndryshëm, në veçanti i librave artistik, mund të përmbushë listën e aktiviteteve tuaja. Me qëllim largimin e mendimeve negative apo shqetësimeve, individët mund të përdorin një ndër teknikat psikologjike siç është teknika e numërimit.

Ndërsa për fëmijet, do t`i rekomandoja prindërve të fokusohen shumë tek ata duke shpenzuar më tepër kohë për lojra, duke dhënë informacionin e nevojshëm rreth situatës, por sigurisht pa i frikësuar.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme, do të sugjeroja edhe krijimin e një ditari personal për të shprehur të gjithë mendimet dhe emocionet e përjetuara. Kjo do jetë një tjetër mënyrë për të çliruar emocionet negative.

– A do të mund të jemi njësoj pasi pandemia të ketë kaluar?

Rikthimi në gjendjen e mëparshme do të jetë përsëri një ndryshim i stilit të jetesës.

Megjithatë, krahasuar me izolimin, ky kapërcim do të jetë më i lehtë. Mos harrojmë që individi është një qënie sociale dhe mund të përshtatet, kështu që rikthimi në ambientin social do të kërkojë më pak kohë përshtatjeje.

G.D.