· Përveçse “shtëpia e Zotit”, godina e objektit të kultit në qendër të qytetit përbën vlerë të trashëgimisë së re historike
· Fasadat dhe minarja po i nënshtrohen restaurimit dhe gjithçka do të jetë gati, para fillimit të muajit të Ramazanit
· Për harmoninë ndërfetare kanë kontribuar klerikët e shquar të viteve 1930 Mustafa Varoshi, Erazmi Jorgo, Vinçenc Prendushi, të cilët i bënin së bashku shëtitjet nëpër rrugët e qytetit
DURRËS, 7 qershor 2013 –Përveç “sadakave” nga besimtarët myslimanë, për restaurimin e minares së Xhamisë së Madhe të Durrësit, kanë dhënë mjete financiare edhe besimtarë ortodoksë, lajmin kuptimplotë për “Dyrrah”-un e ka dhënë myftiu i Durrësit, Redi Quku.
Fasadat dhe minarja e Xhamisë së Madhe në Durrës po i nënshtrohen restaurimit dhe gjithçka do të jetë gati, para fillimit të muajit të Ramazanit.
Myftiu i Durrësit, Redi Quku, tha për gazetarët se projekti po zbatohet me ndihmën financiare prej 500 mijë lekë të rinj të vetë besimtarëve, të cilët e ndiejnë se, përveçse “shtëpia e Zotit”, godina e objektit të kultit në qendër të qytetit përbën një vlerë të trashëgimisë së re historike.
Me këtë shpjegohet dhe fakti pse përfaqësues nga komuniteti ortodoks i Durrësit kanë kontribuar me fonde për këtë restaurim, thotë Quku.
Qyteti bregdetar është i njohur për harmoninë ndërfetare midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, harmoni për të cilën kanë kontribuar klerikët e shquar të viteve 1930 Mustafa Varoshi, Erazmi Jorgo, Vinçenc Prendushi, të cilët i bënin së bashku shëtitjet nëpër rrugët e qytetit.
Punimet kanë nisur disa javë më parë dhe pas përfundimit të fasadës të godinës dhe kubesë, tashmë po punohet në restaurimin e minares së Xhamisë.
Sipas Qukut, janë bërë paraprakisht konsultime me arkitektë dhe piktorë.
“Financimin e restaurimit mund ta kishim zgjidhur me anë të donacioneve nga firma të ndryshme”, – tha myftiu Quku, duke shtuar se “ndjeshmëria e komunitetit të besimtarëve në këtë drejtim ishte e madhe. Pjesa më e madhe e parave u grumbulluan nga “sadakatë”, dhuratat financiare të besimtarëve dhe qytetarëve, jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga qytete të tjera në Kosovë dhe Maqedoni”.
Xhamia e Madhe e Durrësit është ndërtuar në vitin 1940. Minarja e saj u shkatërrua, ndërsa mjediset e godinës u kthyen në pallat kulture në vitin 1967.
Pas rikthimit në destinacionin e saj fillestar në fillim të viteve 1900, Xhamia e Madhe është rindërtuar në vitin 2003.
/ th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/