Durrës, 9 shtator 2014 – Në jo pak raste agjencia e lajmeve “Dyrrah” ka trajtuar fenomenin e vjedhjes së kapakëve të pusetave, një rrezik serioz ky për drejtuesit e automjeteve dhe kalimtarët.
Fenomeni është më prezent në lagjen nr.18, në rrugën “Kristo Sotiri”, ku është ‘fat’ po të gjendet një pusetë me kapak.
Por kjo rrugë nuk është e vetmja, ku kalimtarët duhet të bëjnë akrobatin për të kaluar, ose të bëjnë sytë katër natën për të mos rënë në ndonjë pusetë.
Qytetari fatkeq, një 73 vjeçar nga Durrësi, Q.H., ka qenë duke lëvizur me biçikletë në rrugën “Petrit Llaftiu”, në lagjen nr.15 kur ka rënë në pusetën e hapur duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe trup.
Fatmirësisht, sipas mjekëve, plagët e marra nga i moshuari nuk përbëjnë rrezik për jetën, por rehabilitimi i tij do të zgjasë ca, kjo dhe për shkak të moshës së thyer.
Ky rast nuk është i vetmi, është i fundit në rradhë dhe mund të pasohet nga të tjerë.
Banorët e lagjeve, ku ky fenomen është mjaft i përhapur tregojnë se shumë prej tyre kanë pasur të njëjtin fat me pensionistin 73 vjeçar.
Situate bëhet edhe më e rëndë, në kohë shirash të rrëmbyeshëm, kur rrugët mbulohen nga uji. Nëse nuk i di mirë pusetat e rrugës rrezikon të biesh brenda.
Rasti më i fundit, ku një qytetar ka rrezikuar jetën për shkak të rënies në pusetë, duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Bashkinë e Durrësit për zëvendësimin e kapakëve metalikë me plastikë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





