DURRËS, 29 prill 2015 – Qafë Shtama është stacioni i ri turistik i qarkut të Durrësit, në të cilin nga qyteti bregdetar mund të mbërrish vetëm në dy orë. Rruga e re Krujë-Qafë Shtamë, e cila u rindërtua kohët e fundit me financimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka filluar të shfrytëzohet nga dhjetëra qytetarë dhe familjarë. Rruga e re ka një gjatësi prej 22 km dhe përshkon një territor me reliev mjaft të thyer mes fshatrave të komunës Çudhi të Krujës.
Numri i klientëve është më i madh në fundjavë. Familjarët mbërrijnë kryesisht me autoveturat e tyre ose me furgonë dhe një pjesë vazhdojnë shëtitjen më këmbë drejt Majës së Liqenit, në lartësinë 1720 metra. Më parë të vije këtu ishte e pamundur, për shkak të rrugës shumë të vështirë. Në vitet 1960-1970 Qafë Shtama konsiderohej një pikë e rëndësishme kurative dhe pushimi për sëmundjet e mushkërive.
Info
Pika turistike e Qafë Shtamës ndodhet mes një masivi me pisha të zeza me kurorë mjaft të hijshme. Aktualisht në këtë lartësi prej 1350 metra bien në sy 3-4 godina me destinacion turistik, si dhe Kroi i Nënës Mbretëreshë, i rindërtuar para disa vitesh. 7-8 km larg nga Kruja vizitorët mund të ndalojnë edhe pranë Shkëmbit të Vajes, i cili përkujton periudhën e Skënderbeut, si dhe 90 vajza dhe gra, që u hodhën nga shkëmbi për të mos rënë në dorë të armikut.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi Gëzim Kabashi/