DURRËS, 22 prill 2014 – Më në fund Tirana zyrtare jep fonde për pastrimin e kanalit të ujërave të larta të Spitallës, në mënyrë që qyteti bregdetar të shpëtojë në shkallë të konsiderueshme nga përmbytjet.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka dhënë një fond prej 90 mijë dollarë për kanalin e ujërave të larta të Spitallës, prokurimi i të cilit bëhet më 9 maj 2014 në dikasterin që drejtohet nga LSI-ja.
Parashikohet që të gjitha punimet të përfundojnë brenda dy muajve, në prag të vjeshtës.
Kanali është i gjatë 5,5 km dhe ka 15 vjet pa u pastruar.
Është i bllokuar nga ndërtimet pa leje mbi argjinaturë, e kanë mbuluar kallamishtet dhe plehrat urbane, ujërat e zeza, duke bërë që vërshimet e kodrave gjatë shirave, në vend që të derdhen në Porto Romano, dalin në rrugë në Spitallë dhe ish-kënetë.
Në vitin 1961, ndërsa vazhdonte në mënyrë intensive ndërtimi i hidrovorit në Porto Romano, paralelisht hapej kanali i ujërave të larta të Spitallës.
Ky kanal i merr ujërat e kodrës me rrjedhje të lirë e i derdh në det pa energji elektrike.
Është edhe kanali i Shënvlashit që merr ujërat nga Mulliri i Bullgarit, vjen rrotull në kodrën e Rrashbullit dhe përfundon në Plepa; edhe ky me rrjedhje të lirë.
Hidrovori është ndërtuar të përballojë ujërat që bien në zonën mes këtyre dy kanaleve, ndërkohë që ujërat e kodrës nuk i përballon dot.
Derdhja në hidrovor edhe e ujërave që grumbullojnë dy kanalet e mëdha do të kërkonte shpenzime shumë të mëdha dhe se kostoja për të përballuar shpenzimet për energji elektrike do të ishte shumë e madhe.
Ky është fondi i dytë që jepet për Durrësin pas atij për rehabilitimin dhe pyllëzimin e kodrave të Currilave.
Por u takon institucioneve shtetërore të qarkut të Durrësit, si dhe pushtetit vendor të ndjekin nga afër punimet e pastrimit të kanalit, në mënyrë që të shmangen shpërdorimet e mundshme të fondit, i cili dhe kaq është i pamjaftueshëm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





