DURRËS, 17 dhjetor 2014 – Durrësi shfaq edhe një herë tolerancën politike në nderimin pas vdekjes të njerëzve të shquar, pavarësisht krahëve që u përkasin, sikurse ndodhi në një ceremoni kushtuar të ndjerit Sokol Olldashi.
Më 17 dhjetor 2014, në sallën e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, u organizua një ceremoni prekëse për dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” (pas vdekjes), për birin e qytetit të Durrësit, ish-deputet dhe politikan i shquar i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi (17 dhjetor 1972-20 nëntor 2013).
Sikurse është bërë e ditur, projektvendimin për titullin këshilli bashkiak e miratoi me votat e djathta dhe të majta, njëzëri, më 17 nëntor 201, në prag të njëvjetorit të vdekjes, kurse ceremonia e dorëzimit u bë më 17 dhjetor 2014, në 42-vjetorin e lindjes.
Ishin të pranishëm me qindra qytetarë, shokë, miq, prindërit e tij, bashkëshortja dhe dy djemtë, të afërm e të tjerë, si dhe deputetët e PD-së Astrit Patozi, Majlindë Bregu, Mesilë Doda, Igli Cara, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani, Ridvan Bode, Eduart Halimi, Roland Keta, Flamur Noka; kryetari i degës Osman Stafa, kryetarë komunash “blu”. Nga PR-ja merrnin pjesë deputetët Fatmir Mediu, Agron Duka, Yll Shehu, kurse nga PDIU-ja Aqif Rakipi. PS-ja përfaqësohej nga deputetja Koldianë Spahiu; LSI-ja nga Monikë Kryemadhi. Në një rresht me deputetët e PD-së ishte dhe kryetari i bashkisë së Durrësit dhe anëtar i Kryesisë së PSSH-së, Vangjush Dako. Ka rënë në sy mungesa e kryetarit aktual të PD-së Lulzim Basha dhe paraardhësit të tij Sali Berisha, teksa gjatë ceremonisë emrat e këtyre të fundit nuk u përmendën nga folësit.
Në këtë ceremoni, kryetari i këshillit bashkiak, përfaqësues i PS-së, Alban Ramohito, i dorëzoi Glaukut, djalit të madh të të ndjerit, titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Protagonist i mendimit dhe veprimit demokratizues gjate dy dekadave të fundit, që u shqua për guxim e qytetari në formulimin dhe promovimin e alternativave të zhvillimit dhe që u kthye në modelin e përfaqësimit të qytetarisë”.
Një orkestër harqesh ekzekutoi disa vepra. Mësuesit e kanë përkujtuar si djalin e shkëlqyer në mësime, i cili në moshën 17-vjeçare shpërndante traktet kundër komunizmit e më pas pjesëmarrës aktiv në përmbysjen e sistemit; miku i tij Igli Cara solli kujtime dhe tha se ai është sfinksi i politikës shqiptare, që diti të fitojë e të humbasë me nder. Kozetë Mamaqi, nëna e Olldashit, për asnjë moment nuk ka reshtur së lotuari, teksa shumë miq e dashamirës e kanë e përkujtuar atë. Në fund u shfaq edhe një dokumentar për nder të ish-deputetit demokrat.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





