DURRES, 10 maj 2013- Qytetarët e Durrësit  ndihen të pasigurt në rrugët e qytetit bregdetar dhe kjo për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe elementeve  të sigurisë. Mjafton një vëzhgim në kryqëzimet e rrugët kryesorë të qytetit, siç është kryqëzimi pranë stacionit të Shkozetit, tek Mauzoleumi i Dëshmorëve,  përgjatë rrugës së Plazhit, pranë kryqëzimit të stadiumit "Niko Dovana" , tek rruga e re në ish-Kënetë, etj dhe  konstaton se siguria nuk ekziston. Semaforët në këto arterie kryesore të qytetit kanë mbetur në gjendje pasive prej vitesh, ndërsa vizat e bardha në  rrugë janë zhdukur. Kjo bën që qytetarët të përballen çdo ditë me rrezikun e jetës teksa lëvizin nëpër qytet, kjo edhe për shkak të keq-inxhinierimit apo të mungesës së kujdesit minimal nga ana e institucioneve përgjegjëse. Sikur të mos mjaftonte mungesa më elementare e sigurisë në rrugë, trotuaret e ngushta dhe të zaptuara nga ndërtimet, bën që rreziku të bëhet edhe më i madh.

Bashkia e qytetit thuajse nuk ka ndërhyrë fare në rehabilitimin e sinjalistikës horizontale e vertikale, edhe pse ndodhemi në prag të sezonit turistik. Ky institucion deri më tani nuk është  i gatshëm t’i përgjigjet shqetësimit të qytetarëve për këtë çështje, duke mos marrë asnjë angazhim në drejtim të rritjes së sigurisë në rrugë.

Të gjendur të vetëm përballë parandalimit të ngjarjeve të rënda në rrugë dhe normalizimit të qarkullimit të automjeteve, uniformat blu dislokohen në pikat më problematike. Pikërisht këta efektiva të policisë rrugore  kryejnë funksionin e semaforëve, në një vend ku duhej të funksiononte sinjalistika rrugore. Drejtues të policisë së Qarkullimit Rrugor tregojnë se mungesa e theksuar e sinjalistikës rrugore, por edhe mosfunksionimi i semaforëve, ka ndikuar në planin ditor të kësaj strukture. Pasi sipas tyrë, ata  janë të detyruar të dislokojnë forcat e policisë nëpër kryqëzime ku nuk punojnë semaforet, në vend që këta të fundit të angazhohen në zona të tjera të nxehta ku prezenca e tyre mbetet e domosdoshme.

Semaforët në qytetin e Durrësit janë instaluar në fillim të vitit  2000, me një kosto investimi prej 100 mijë USD. Semaforët u instaluan në rrugë e kryqëzime kryesore të qytetit, por që prej vendosjes së tyre nuk kanë funksionuar si duhet, duke çoroditur më keq trafikun. Kjo për shkak se firma private, fituese e tenderit, instaloi disa pasjise të skaduara.

Qarkullimi në Durrës, në qytetin e  dytë në Shqipëri për sa i përket trafikut të automjeteve mbetet i lartë. Sipas statistikave policore, çdo ditë të zakonshme qarkullojnë në rrugët e Durrësit, mbi 20-25 mijë makina, kurse në ditët e fluksit veror dhe dimëror mbi 50  mijë të tilla.

40 përqind e aksidenteve rrugore në Durrës sipas policisë  ndodhin në kryqëzime apo fare pranë tyre nga mungesa e sinjalistikës.  Po nga policia mësojmë se  janë regjistruar dhjetra aksidente deri me pasoja të rënda për jetën kryesisht të kalimtarëve në kryqëzime rruge brenda në qytet, të cilat janë shkaktuar vetëm nga mosfunksionimi i sinjalistikës rrugore.

Zgjidhja e vetme, nëse  semaforët nuk vihen në funksion,  për specialistët e trafikut mbetet ndërtimi i rotondove  në çdo kryqëzim. Ata e shikojnë një investim të tillë si një mundësi e mundshme për të ulur rastet e aksidenteve dhe për të shmangur ndjeshëm viktimat.

E në pritje të ndërgjegjësimit të institucioneve, qytetarëve durrsakë por edhe vizitorëve, të cilët pritet të frekuentojnë qytetin bregdetar përgjatë sezonit veror, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të bëjnë kujdes teksa gjërpërojnë mes automjeteve.

/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/