Në prani të ministrit Erion Veliaj, homologu i tij Lefter Koka u përshëndet dhe u përqafua me pasardhësin në krye të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako

                                                                                                                                       

DURRËS, 14 maj 2014 –  “Ne shpresojmë që të pakësohen në të ardhmen borxhlinjtë e këqij”, i tha “Dyrrah”-ut një funksionar i lartë i  bankës Raiffeisen, që festoi në Durrës 10-vjetorin e veprimtarisë në Shqipëri.

Në mbrëmjen e 13 majit 2014 drejtoria e përgjithshme e Raiffeisen Bank dha në qytetin e Durrësit një pritje me rastin e përvjetorit të 10-të të prezantimit të saj në Shqipëri.

Ishin të pranishëm biznesmenë të njohur e të fuqishëm, klientë të kësaj banke si dhe ministrat Erion Veliaj, Lefter Koka, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, Andrea Xhavara etj.

Para fillimit të veprimtarisë, në prani të ministrit Veliaj, i cili kishte mbërritur më parë, homologu i tij Koka u përshëndet dhe u përqafua me pasardhësin në krye të bashkisë Dako.

Pasi shprehu kënaqësinë për praninë e autoriteteve shtetërore, në fjalën e tij zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri Alexander Zsolnai tha se viti 2014 shënon një përvjetor të veçantë për Raiffeisen Bank në Shqipëri, kur para 10 vitesh, në 2004-ën, Raiffeisen Bank International bleu Bankën shtetërore të Kursimeve dhe prezantoi brandin Raiffeisen në Shqipëri.

Z. Zsolnai tha se Raiffeisen Bank është banka më e madhe në Shqipëri me një total aktivesh prej afër 2 miliardë euro; portofoli i kredisë është rritur në mbi 900 milionë euro; ka një rrjet prej 100 degë në të gjithë vendin; 200 ATM; 1400 terminale shitjesh (POS) në 35 qytete dhe ka hedhur në treg 240 mijë karta.

Në përshëndetjen e tij ministri i i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj falënderoi bankën për mbështetjen në ndërtimin e zyrave të reja të punës, ndërkohë shfrytëzoi rastin t’u bënte thirrje biznesmenëve të pranishëm të aplikonin në Fondin e Nxitjes së Punësimit.

Kryebashkiaku Vangjush Dako i sugjeroi Raiffeisen-it të ndihmonte edhe në kreditimin e biznesit të vogël.

Përshëndeti dhe Prefekti i qarkut, Rolant Xhelilaj.

Pastaj Gjergj Thanasi i “Dyrrah”-ut pyeti z. Zsolnai, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri:  –  Kam vënë re në gazeta shumë njoftime të përmbaruesve për nxjerrje në ankand të pasurive edhe të bizneseve të mëdha shqiptare. Birra Norga, Floryhen dhe Spitali Gjerman janë tre biznese borxhlinj të këqij në bankën tuaj. A janë problematikë për bankën tuaj të tillë borxhlinj të këqij?

Në përgjigjen e tij z. Alexander Zsolnai, tha:  –  Ne shpresojmë që masat e reja të marra nga qeveria Rama të nxisin rritjen ekonomike, kështu që të pakësohen në të ardhmen borxhlinjtë e këqij. Shpresojmë që rritja ekonomike të shtojë blerësit për këto asete të borxhlinjve te këqij, të cilat banka si mundësi të fundit dhe me shumë keqardhje i nxjerr në ankand. Gjithsesi, edhe nëse për disa kohë të tilla asete nuk shiten, por mbeten pasuri e bankës, prapë se prapë ne kemi fuqi ekonomike t’i mbajmë derisa të përmirësohet tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Atëherë ne i nxjerrim në shitje me çmim më të lartë dhe me më shume fitim për bankën. Të tilla kredi të këqija nuk janë aspak në nivel shqetësues për bankën tonë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/