Tiranë, 9 korrik 2014 – Firmosen ndryshimet e para në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit në qarqet kryesore të vendit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, zyrtarizoi pasditen e së hënës 5 emërime të reja në disa prej drejtorive rajonale të kufirit.

Në Durrës është emëruar Rakip Kazani, i cili prej disa muaj ishte në krye të Drejtorisë së Kufirit në kryeqytet.

Kazani zëvendëson në këtë detyrë Nuri Locën, që e ka mbajtur këtë post që prej tetorit të vitit 2012.

Ndërkohë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë është emëruar Fran Kaçorri, i cili zëvendëson në këtë detyrë Kazanin, e transferuar në Durrës.

Mësohet se deri dy vite më parë Kaçorri mbante gradën “Kolonel” dhe ishte një prej drejtuesve të shtabeve në Gardën e Republikës. Për 4 vite me radhë, derisa u lirua nga detyra, ai ka qenë shefi i grupit të shoqërimit të ish-presidentit Bamir Topi.

Në Drejtorinë e Kufirit të Vlorës, Didi ka emëruar Ilmi Hoxhën. Ndërsa në Kukës dhe Korçë janë emëruar përkatësisht Dashamir Spaho dhe Gëzim Goxhaj.

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit ishte e vetmja strukturë që deri tani nuk i ishte nënshtruar reformës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/