DURRËS, 30 tetor 2014 – Kreu i Qeverisë z. Edi Rama, përdori në Durrës, në harkun e 24-orëve, pasi dha njoftimin mbi 13 milionë euro investime, të nesërmen filloi shkuljen e çibanëve tek Ura e Daljlanit dhe plazh, ku po zbatohen dy projekte të mëdha.
Në qytetin e Durrësit ka nisur që në orët e para të mëngjesit të 30 tetorit 2014 një aksion masiv për shembjen e objekteve pa leje si dhe lirimin e hapësirave publike të zëna si trotuare dhe zona te gjelbra, të cilat shfrytëzoheshin kryesisht si lokale shërbimesh te ndryshme, por edhe banesa dhe hoteleri.
Aksioni ka filluar një ditë pas inspektimit të Edi Ramës në Durrës, ku njoftoi “kulaçin” e 13 milionë eurove për investime, kurse të nesërmen filloi me kërbaçin, kështu në rrjetin social Face Book, më 30 tetor 2014, Kryeministri shqiptar postoi statusin lakonik:
“Operacioni i shkuljes së çibanëve nga prona e përbashkët shtrihet në plazhin e Durrësit, ku rilindja do të jetë shembullore”.
Në një shtrirje prej 7 km, shembjet kanë filluar për rreth 120 objekte, nga Ura e Dajlanit deri në zonën e Plepave ku janë shembur 6 banesa të ndryshme.
Në fokus të ndërhyrjeve kanë qenë kryesisht rrethime me kioska apo godina njëkatëshe të ndërtuara pa leje. Aksioni qe do të vazhdojë disa ditë është përqendruar në zonën e Urës së Dajlanit ku ka një projekt për urbanizimin dhe gjelbërimin e kësaj zone, në të dy krahët e rrugës së plazhit, dhe përreth rotondave të Durrësit.
Sipas të dhenave të INUK-ut numri i banesave që do të prishen arrin në 500.
Ai do te jete disaditor.
Në ditët në vijim, përveç lokaleve dhe banesave brenda në qytet, aksioni do të përfshijë edhe zonën turistike të Currilave, ku janë ngritur shumë objekte me leje provizore.
Po ashtu do të preken edhe lokalet në sy lulishtet publike të Mauzoleu i Dëshmorëve,
Në lajmërimin e datës 29 tetor 2014, INUK-u njoftoi se do të prishen rreth 200 ndërtime pa leje në mbikalimet e Urës së Dajlanit, Rrugës së Plepave, si dhe ato përgjatë rrugës së plazhit.
Veç forcave të INUK, pjesë e aksionit janë edhe forcat speciale, të pajisur me veshje dhe me mjete të blinduara.
Operacioni i INUK, deri tani nuk ka krijuar tensione mes inspektorëve dhe pronarëve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





