Durrës, 15 qershor 2014 – “Një ogur të mirë në vigjilje të marrjes së vendimit për statusin kandidat në BE”,– e ka cilësuar kryeministri Edi Rama lajmin për vizitën e Papa Françeskut në 21 shtator të këtij viti. 

Në një prononcim nga Muzeu Arkeologjik i qytetit të Durrësit, Rama theksoi se ky është një privilegj i rrallë që i bëhet Shqipërisë ndaj duhet të përgatitemi të gjithë që ta presim ashtu si duhet Papa Françeskun.

“Zbritja e afërt në tokën tonë të këtij njeriu qiellor është vizitë që i bëhet çdo shqiptari pa dallim feje. Në emër të dashurisë mes njerëzve dhe të paqes mes popujve. Besoj se edhe lajmërimi sinkron sot nga Durrësi dhe Roma i kësaj vizite që përbën një privilegj të rrallë është një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që do merret për statusin kandidat të vendit tonë. I shpreh plotësisht mirënjohjen time dhe gjithë shqiptarëve atit të shenjtë për përmbushjen e dëshirës për ta mirëpritur në Shqipëri”,-u shpreh Kryeministri Rama.

Njoftimi i Papa Françeskut

“Jam i lumtur t’ju njoftoj se kam  pranuar ftesën e peshkopëve dhe autoriteteve shqiptare dhe do të vizitoj Tiranën ditën e dielë më 21 shtator. Me këtë udhëtim do të doja të konfirmoja besimin e Kishës tek Shqipëria dhe të dëshmoj inkurajimin tim për një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës.” Ky ka qenë njoftimi i bërë  nga vetë Papa Françesku pas lutjes në sheshin e Shën Pjetri.

Kjo do të jetë vizita e dytë e një personaliteti të rëndësishëm të Vatikanit, pas vizitës së Papa Gjon Palit të Dytë në vitin 1993 në Shqipëri. Papa Françesku (Jorge Mario Bergoglio) nga Argjentina u zgjodh në mars të vitit 2013.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/