Durrës. Reagimi i Ujësjellësit: Ujë sa të duash, OSHEE nuk na ka thënë
– Por njoftimi për punime remonti në nënstacionin e Fushë-Kuqes është bërë nga drejtoria qendrore në Tiranë, më 15 tetor 2014, në faqen zyrtare on-line, ja faksimilja dhe teksti
DURRËS, 16 tetor 2014 – Lidhur me njoftimin e dhënë nga “Dyrrah”-u mbi problemet që mund të shkaktohen në furnizimin me ujë të pijshëm më 16 tetor 2014 nga reduktimi i kohës së punës në stacionin e pompave në Fushë-Kuqe të Kurbinit, zyra e shtypit e Ujësjellës-Kanalizimeve sha tha se gjithçka do të jetë normale.
Ujësjellësi tha se nuk ka njoftim zyrtar nga OSHEE-ja për punime remonti në nënstacionin e Fushë-Kuqes, ndërkohë që “Dyrrah”-u iu referua faqes zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike (shih faksimilen), ja teksti i paqortuar nga gabimet e shtypit dhe drejtshkrimit:
“Njoftim per shtyp
E Merkure, 15 Tetor 2014
Operatori i Shperndarjes se Energjise Elektrike OSHEE njofton mbi punimet e remontit ne Nenstacionin 110/35/6 kV Fushe Kuqe nga ana e Drejtorise se Tensionit te Larte Veri me daten 16.10.2014 nga ora 10:00 deri ne 14:00.Do te kryhet remonti ne Seksionin II ne anen 110 kV, si dhe stakimi i Transformatorit (5.6 MVA + 10 MVA). Perveç fidrave te popullates energjia elektrike do te stakohet dhe ne Fidrin Q.23 dhe Q 19B, te cilet furnizojne me energji pompat e Ujesjellesit te Durresit. Keto pompa do te punojne te reduktuara dhe do te furnizohen vetem nga Fidri Q 19A.
Nderkohe per shkak te punimeve do te stakohet energjia elektrike per abonentet ne Komunat Fushe-Kuqe, Shenkoll Tale, Rrile, Hidrovori Rrile, Burgu Shkolle, Hidrovori Droje, Shllinze, kufizime te pjeseshme te Ujesjellesit Durres”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





