Pas problemeve të ngritura në DurrësLajm nga qytetarët durrsakë, por jo vetëm, për shërbimet në qëndrat shëndetësore dhe në sportelet e Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kjo e fundit ka reaguar, duke deklaruar se, deri tani, janë shpërndarë 76 mijë karta shëndeti.
“Në rajonin e Durrësit ka filluar proçesi i shpërndarjes së kartave të shëndetit në fillim të vitit 2015, – thuhet në reagimin e Drejtorisë Rajonale të FSDKSH në Durrës. – Që në fillimet e tij ky proçes u përball me nje fluks të madh banorësh, i cili erdhi vazhdimisht duke u rritur. Për të përballuar këtë fluks në rritje, për të eleminuar rradhët e pritjes dhe për t’i ardhur në ndihmë banoreve, hapëm edhe një pikë tjetër shpërndarje pranë Qendrës Shëndetësore në Shijak, e cila mbulon një zonë të gjerë dhe ofron shërbim si për qytetin e Shijakut dhe fshatrat përreth. Gjithashtu, në Durrës u shtua personeli për hapjen dhe shpërndarjen e kartave të shëndetit, me dy turne dhe orare të zgjatura, madje edhe ditën e shtunë.”
Në bazë të reagimit të Drejtorisë Rajonale të FSDKSH në Durrës, në të gjithë rajonin janë shpërndarë 76314 karta shëndeti:
- Durrës 57076 karta shëndeti
- Kavajë 12222 karta shëndeti
- Krujë 7016 karta shëndeti
Njëkohësisht, mësohet se gjatë vitit 2015 është punuar për realizimin në kohë edhe të përpunimit të recetave me rimbursim për të gjitha farmacitë e kontraktuara. Në Drejtorinë Rajonale të FSDKSH në Durrës janë përpunuar 323 109 receta me rimbursim, nga të cilat 46 892 janë receta elektronike.
K. H.





