DURRËS, 30 janar 2014 –Ish-drejtues të njësive vendore të qarkut të Durrësit, por edhe ish-deputetë e ish-anëtarë të kabineteve qeverisëse, zhvilluan më 30 janar 2014 në Durrës një konsultim mbi implikimet e ndarjes së re administrative. Konsultimi u iniciua nga ish-kryeministri Ylli Bufi dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Bashkëpunimit Zviceran, njofton Gëzim Kabashi i ATSH-së. Agjencia qeveritare e lajmeve citon ish-kryeministrin socialist Bufi të ketë thënë se “të gjithë janë në një mendje për nevojën e një ndarjeje të re territoriale, por forma është ajo që i ndan. Politika, në ndërmarrjen e kësaj reforme, që në vetvete është e domosdoshme për të përmirësuar si ofrimin e shërbimeve për qytetarët, ashtu edhe zhvillimin e vendit në të ardhmen, e sheh ndarjen nga këndvështrimi i vet, nga këndvështrimi i votave që mund të marrë nesër. Ndërkohë, ajo që ne duam të ofrojmë është një alternativë, e bazuar te përvoja e drejtuesve të mëparshëm. Qëllimi është që në këtë diskutim, duke iu larguar qëllimeve politike, të përfshihen sa më shumë njerëz dhe të përthithen sa më shumë mendime”. Siç duket dhe nga fotoja e Kabashit, ishin pak njerëz në konsultë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





