DURRËS, 10 dhjetor 2014 –  Në ish-Kënetë numërohen 3 800 debitorë, të cilët i detyrohen operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) një shumë prej 602.7 milionë lekë (rreth 4,3 milionë euro), 575 milionë prej të cilëve llogaritet të jetë borxhi i konsumatorëve familjarë, ndërsa pjesa e mbetur u takon subjekteve private, raporton TCH. 

Drejtues të OSHEE-së në Durrës bëjnë të ditur se, ndonëse deri më 3 dhjetor 2014 janë arkëtuar 18 milionë lekë nga banorët debitorë, ritmi i arkëtimeve nuk është ai i dëshiruari. 

Vetëm 62 akt-marrëveshje janë realizuar me debitorët për pagesën e afro 15 milionë lekëve, të cilët për debitorët familjarë do të shlyhen brenda 7 muajve në vazhdim, ndërsa 4 muaj është afati i shlyerjes për subjektet private.

Segmenti rural i degës së PD-së Durrës mbështet banorët në protesta për të mos paguar dritat, sikurse ka ndodhur dy herë brenda pak ditëve. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/