DURRËS, 24 nëntor 2013 – Ka nisur intensivisht puna për zhbllokimin e kanalizimeve, të cilat kanë qenë precedentë për përmbytje në qytetin e Durrësit. Ekskavatorë dhe makineri të rënda kanë ndërhyrë më 23 nëntor 2014 në kolektorin kryesor, duke nisur zhbllokimin e tij,  ku pritet normalizimi i situatës ndaj fenomenit të përmbytjeve, të sidomos në hyrje të qytetit por edhe në atë të plazhit. Sipas prefektit të qarkut Durrës, Roland Xhelilaj, do të punohet intensivisht për hapjen e kanaleve për të normalizuar situatën dhe për t’i bërë parapritë përsëritjes së këtij fenomeni. Problemet e shfaqura nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të stinës së dimrit, jo pak herë kanë krijuar situata alarmante në qytetin e Durrësit ku në pak minuta janë përmbytur pothuajse shumica e tyre.

PROBLEMET REALE

Në një takim të organizuar para disa ditësh nga Prefekti i qarkut Roland Xhelilaj mbi parapritjen e situatave emergjente, drejtori i Bordit të Kullimit Ali Karaj raportoi se gjendja është e rëndë për shkak se ka mjaft mungesa materiale për të përballuar situatat kritike. Në hidrovorin e Porto Romanos një pompë është  jashtë funksioni. Nuk është vënë në pune linja e re rezervë e furnizimit me energji elektrike, mjaft e domosdoshme kjo. duke u nisur nga rëndësia që ka ky hidrovor për fatin e mijëra familjeve në ish-kënetë. Po kështu edhe në hidrovorin e Hamallajt është problem tensioni.

20 VJET PA U PASTRUAR

Durrësi ka rreth 28 rezervuare. Në 7 prej tyre ka probleme dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, 2 prej të cilëve janë në Krujë. Durrësi ka 68 km kanale kulluese, ndërsa Kruja 36 km. Deri tani janë pastruar 10 kanale plus 8 km ne disa zona. Po ne hidrovor është 1 eskavator. Me buxhetin që kemi, ka theksuar Karaj, nuk mund të ndërhyhet. Bordi i kullimit i Qarkut mbahet vetëm me 2 ekskavatorë në gjendje pune, nga 5 gjithsej. Nëse njëri ekskavator është në hidrovor, tjetri është lënë në pritje të ndërhyrjeve në pastrimin e kanaleve tek Ura e Dajlanit. Problematike mbeten argjinaturat. Kanali i ujërave të larta të Spitallës dhe plazhit është jashtë funksionit. Ka 14 vjet pa pastruar. Po kështu zona e njohur si Përroi i Tones, ka 20 vjet pa pastruar. Argjinatura e lumit Erzen dhe në Kanalin e Gjermanit ka 20 vjet pa pastruar. Problem mbetet edhe Ura e Dajlanit. Kërkohet që të ndërhyhet në 600 m në njërën zonë dhe 350 m më tej. Për pastrimin e kanalizimeve të nënkalimit duhen zhvendosur rreth 2800 metra kub dhera dhe llum. Për të gjitha këto, thekson Karaj, kemi vetëm 2 kamionë në dispozicion. Dhe kërkojnë një sasi prej 2500 litra karburant që Bordi i Kullimit nuk i ka për arsye se janë konsumuar gjatë vitit. Kjo është situata kur dihet se Durrësi ka pasur probleme të përvitshme me përmbytjet duke përfshirë deri lagjet e brendshme të qytetit dhe periferitë. Problemet kanë qenë zinxhir me pas në të gjithë qarkun.

SPECIALISTI: ASNJË BAZË PËR PËRMBYTJE

Specialisti veteran i ujërave Mejdi Islamaj në një bisedë të paradokohshme e shihte gjendjen me një perspektivë të zymtë. Ish-përgjegjësi i stacionit të pompave në hidrovor ka deklaruar se “ai stacion është bllokuar komplet”. Sipas tij, kanalet janë mbushur  me dhe. Nuk ka më kanale sekondare. Kur vjen uji në hidrofor, ai vjen vonë. Po të mos vonohen ujërat, në kanalet e bllokuara, ato hiqen për tri orë. Kur kanalet nuk funksionojnë rrezikon të mbytet këneta. Ndërmarrja e ujrave duhet të çojë ujërat deri në hidrovor. Ndërkohë ai thotë se “nuk ka asnjë argument për të lejuar përmbytjen” dhe vijon të arsyetojë se i gjithë shqetësimi i specialistit vjen nga frika e bllokimit të skarave në hyrje të hidrovorit, të cilat nuk lejojnë depërtimin e ujit. Skarat janë 4.2 metër nën nivelin e detit dhe deri në krye të stacionit lartësia arrin në 6 m. Përqendrimi i mbeturinave inerte, bllokimi nga materialet e ndryshme krijon masiv të madh duke e detyruar ujin të derdhet drejt pompave në formë katarakti, veprim që ndëshkon dhe nxjerr jashtë përdorimit pompat dhe të gjithë gatishmërinë e misionin e stacionit.

STACIONI I PORTO ROMANOS

Stacioni i pompave në Porto Romano, sipas Islamajt, është vënë për herë të parë në punë më 6 qershor 1963. Fillimisht me 3 pompa italiane me kapacitet të përbashkët 9 m3 ujë në sekondë dhe më pas me 2 pompa hungareze me të njëjtin kapacitet. Hidrovori u ndërtua më së shumti për të kulluar e shkripëzuar 3 500 ha tokë të Kënetës, ndërkohë që, pasi u vu në funksionim, kujdesej për kullimin e 7 000 ha tokë. Duke parë se reshjet dhe prurjet në situata të caktuara ishin mbi kapacitetin përpunues të pesë pompave u shtuan edhe katër pompa të tjera dhe të gjitha së bashku përballonin 24 metra kub ujë në sekondë duke i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme frikës nga përmbytja. Islamaj, përgjegjësi i parë i hidroforit, thotë se për t’u vënë të gjitha pompat në punë. duhen detyrimisht të furnizohen me 24 m3 ujë/sek ndryshe shkaktojnë avari të mëdha. Që kjo sasi të shkojë në hidrovor lypset mirëmbajta e rreptë e rrjetit të kanaleve. Gjatë periudhës së nxehtë dhe me pak reshje nuk ndizen më shumë se dy pompa, kurse në pikun e reshjeve gjithçka varet nga sasia e prurjes dhe jo sasia e reshjeve që bien në territorin, për të cilin shërben hidrovori. Islamaj pohon se para viteve 1990 ndërmarrja e kullimit kishte në gatishmëri të pastrimit të kanaleve 28 ekskavatorë, ndërsa sot ky numër është disa herë më pak duke rrezikuar shumë mirëmbajtjen e rrjetit. Në bisedën e tij Islamaj, ë gjitha përmbytjet e viteve të fundit ia “faturon” keqadministrimit, bllokimit të kanaleve, mospastrimit sistematik të tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/