· Rreth orës 3.00 të datës 19 nëntor 2014 u riparua çelësi i defektuar nga shkarkimet atmosferike në stacionin e pompave (hidrovori) i Porto Romanos, i cili vazhdon të punojë me kapacitet të plotë
DURRËS, 19 tetor 2014 – Prefekti i qarkut të Durrës-Krujë, z. Rolant Xhelilaj po ndjek nga afër problematikat e krijuara në disa nga komunat dhe bashkitë e qarkut pas reshjeve të dendura të mbrëmjes së 18-19 nëntorit 2014.
Prefekti mblodhi menjëherë një pjesë të shtabit të emergjencës dhe komunikoi me drejtues të njësive vendore të qarkut.
Së bashku me specialistët, Xhelilaj gjatë natës inspektoi disa pika në zonat më të rrezikuara.
Rreth orës 3.00 të datës 19 nëntor 2014 u riparua çelësi i defektuar nga shkarkimet atmosferike në stacionin e pompave (hidrovori) i Porto Romanos, i cili vazhdon të punojë me kapacitet të plotë.
Nga të dhënat ë deritanishme, po vazhdon puna për zhbllokimin e rrugës Krujë-Qafështamë, ku gjatë natës ka pasur rrëshqitje masive shkëmbore e dherash në kilometrat 8 dhe 13.
Fadromat e komunës së Çudhisë Krujë dhe ato të disa firmave private synojnë normalizimin e situatës brenda ditës.
Në të njëjtën komunë po punohet për zhbllokimin e rrugës Bruz-Mal – Bovillë.
Në territorin e bashkisë së Shijakut dhe në komunën e Thumanë, Krujë, punohet për menaxhimin e situatës së krijuar nga fryrja e lumenjve.
Sot situata është më e qetë dhe specialistët e administratës së prefektit dhe të njësive vendore po vazhdojnë verifikimet në terren.
Drejtoria e Policisë së shtetit të Qarkut Durrës-Krujë, mbrëmjen e 18 nëntorit 2014, për shkak të situatës se rënduar dhe emergjente, në bashkëpunim dhe me institucionin e Prefektit të qarkut, ka qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri të komunitetit për të shmangur çdo incident.
Nga ana e tre komisariateve janë krijuar grupe të posaçme pune si dhe janë marrë masa konkrete në mënyrë që të mos kishte asnjë pasojë.
Për fat të mirë nuk ka pasur dëme materialë, as banesa të përmbytura si dhe as dëme në njerëz.
Gjithsesi, gjatë natës ka pasur probleme në rrethrrotullimin e Shkozetit, rrugën e Currilave në lagjen nr. 1 të qytetit, rrugën e ish-kënetës dhe pastaj pati normalizim.
Tragetet kanë mbërritur në kohë në portin e Durrësit pas qetësimit të Adriatikut.
Parashikimet e motit në qytetin e Durrësit flasin për reshje të dobëta apsiditen dhe natën e 19-20 nëntorit dhe në ditët në vazhdim do të ketë kthjellime deri në fillimin e javës tjetër.
Foto: arkivi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





