Foto-reportazhi i Rojterit (Reuters), që po bën xhiron në mediat botërore, por në ato shqiptare (përjashtuar dy portalet e Durrësit) mbahet heshtje, thjesht se kanë zili Durrësin (?) për projektin “Ju qëndroni në shtëpi, artistët sjellin shfaqjen poshtë ballkoneve”.

Ndërkohë më bëri përshtypje fakti që në 9 fotot nuk pasqyrohen interpretuesit, por fytyrat e gëzuara të qytetarëve. Duke përdorur teleobjektiv, në plan të afërt, fotografi transmeton një psikologji prekëse.

Thanas Mustaqi

Ja teksti i përkthyer në mënyrë të lirë:

Durrës / Reuters: Vallëzimi në tarracat e pallateve, teksa koncerti në kushtet e karantinës ngre gjendjen shpirtërore në Shqipëri

Nga Benet Koleka, fotot nga Florion Goga me diçiturën e përbashkët “Shqiptarët reagojnë teksa një këngëtar interpreton gjatë një koncerti për njerëzit në shtëpi, pasi autoritetet shqiptare morën masa për të ndaluar përhapjen e sëmundjes së koronavirusit (COVID-19) në Durrës, Shqipëri 7 prill, 2020”

DURRËS, Shqipëri, 7 prill 2020 (Reuters) – Teksa po këndohej mes pallateve, në qytetin bregdetar të Durrësit, familjet dilnin në ballkonet prej hekuri të farkëtuar, duartrokisnin në dritare dhe hidhnin valle në tarracat e shtëpive.

Grupi i këngëtarëve të Durrësit janë ndër të vetmit njerëz në Shqipëri që iu dha leje e posaçme për të dalë në rrugë gjatë orarit të bllokimit.

Çdo mbrëmje para perëndimit të diellit ata shkojnë në lagje të ndryshme në qytetin portual kryesor të Shqipërisë, të shoqëruar me eskorte policie dhe altoparlantë, për të dhënë koncert të improvizuar për familjet e ngujuara brenda banesave përreth.

Koncerti i së martës (7 prill 2020) në mbrëmje, i pesti deri më tani, zgjati 90 minuta, ku këngëtarët kryesisht mbanin maska, këndonin me radhë këngë tradicionale në një mikrofon të mbështjellë me plastikë. Banorët duartrokisnin me doreza gome. Disa respektonin rregullat për të dalë jashtë dhe kërcenin në rrugë afër pragjeve të tyre.

Ata e përshkruanin interludin muzikor si bekim për një qytet, i cili po përjeton një nga bllokimet më të rrepta të koronavirusit në Evropë, ndërsa ende mban plagët nga një tërmet që vrau 24 njerëz më pak se pesë muaj më parë.

“E mrekullueshme, harrova të gjitha ankthet e mia,” tha 60-vjeçarja Aishe. Ajo hidhte valle me sytë gjithë shkëlqim, duke mbajtur lart telefonin për t’i treguar drejtpërdrejt koncertin të birit, që po strehohet në Kosovën fqinje, sepse tërmeti e bëri të pabanueshme shtëpinë në Durrës .

Për të ndaluar koronavirusin, Shqipëria ka urdhëruar të gjithë banorët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre gjithë kohës, përveç ditëve të javës në orët 5:00-13:00, kur ata nën moshën e pensionit mund të regjistrohen në një aplikacion për të dalë për pazar.

Këtë kohë të vitit Durrësi do të ishte mikpritës i turistëve në një nga plazhet më të gjata në Adriatik dhe në baret e shumta gjithë jetë.

“Ne jemi marrë me këtë për katër ditë, dhe duhet të them se nuk kam besuar se do të bëhej një nga kënaqësitë më të mëdha në jetën time si këngëtar”, tha Alban Kamenica, një nga interpretuesit, i cili rëndom këndon për turistë britanikë, polakë dhe austriakë në një hotel aty pranë.

Organizatori i koncertit, poeti Ardi Omeri, mori dhuratë si shenjë falënderimi: një vazo me lule.

Në një ballkon të katit të tretë një nënë flokëbardhë me moshë gjashtëdhjetë vjeç, po filmonte koncertin edhe në një video-thirrje, duke ua treguar vajzave të saj binjake 37-vjeçare, të bllokuara në Milano, Itali, një nga qytetet evropiane të goditura më rëndë nga koronavirusi.

“E shihni”, u thoshte duke u buzëqeshur. “Ju dhurova muzikë live për ditëlindjen tuaj!”