Rikthehen sot në darkë lundrimet e trageteve në të dy brigjet e Adriatikut. Pas pezullimit të lundrimeve gjatë mbrëmjes së të dielës,  për shkak të motit të keq, situata metereologjike parashikohet të jetë më e mirë në orët e vona të të hënës, çka do të mundësojë lundrimin e trageteve të linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas.

Mëngjesin e sotëm, shpejtësia e erës arrin 21 nyje detare në orë, në drejtimin Jug-Jug-Lindje, ndërsa lartësia e dallgëve është nga 2.5 deri 4 metra.

Deri sonte në orët e vona të mbrëmjes, moti do të jetë problematik në disa zona të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe sidomos përgjatë Ultësirës Perëndimore duke sjellë lokalisht dhe reshje intensive, herë pas here shoqëruar me stuhi detare.

Sipas sinoptikanëve, vendi ynë do të jetë nën pushtetin e cikloneve tropikale, të cilat janë prodhuar dhe gjatë ditës së djeshme për shkak të temperaturave shumë të larta që kemi përjetuar të dielën.