Disa vite pas largimit nga lulishtja para portit detar dhe në krah të Torrës Veneciane, rikthehen 4 statujat e këngëtarëve të famshëm të rokut botëror.
4 yjet e muzikës rok, Tina Turner, John Lennon, Mick Jagger dhe Bob Dylan janë vendosur në qendër të shëtitores bregdetare, vendin më të frekuentuar gjatë mbrëmjeve nga mijëra qytetarë durrsakë.
Pas harresës disa vjeçare dhe degdisjes në një cep të oborrit të NSHK-së, 4 statujat, që u zhvendosën fill pas nisjes së punimeve për Velierën, tashmë mund të shihen nga afër edhe nga turistët e shumtë që frekuentojnë gjatë sezonit veror qytetin bregdetar.
Statujat e 4 rokerëve u porositën dhe u vendosën në lulishten para portit gjatë qeverisjes së qytetit nga ana e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, i njohur për adhurimin e tij për këtë rrymë muzikore.
Mbrëmjen e sotme, vendi përreth 4 skulpturave ishte rrethuar me shirita dhe kangjella sigurie, sepse pritet të thahet bazamenti ku janë vendosur.
Ato pritet të kthehen në një vendqëndrim për shumë kureshtarë që do të duan t’i shohin nga afër dhe të shkrepin foto me to.
Urojmë që fatin e 4 skulpturave të gjigandëve të muzikës, ta ketë dhe shatërvani i qytetit, pjesë e memories kolektive të shumë brezave në Durrës gjatë shekullit të kaluar dhe dekadën e parë të shekullit XXI.
Në momentin e heqjes së tij për t’i hapur rrugë projekteve të Rilindjes urbane të Durrësit, ish-kryebashkiaku Dako deklaroi se shatërvani do të zhvendosej në një tjetër shesh të qytetit.
Deri më tani ky premtim ka mbetur i pambajtur, ndërsa shatërvani historik që për shumë dekada qëndroi në sheshin kryesor të qytetit, prej vitesh është degdisur në një cep të një kalate portuale, i harruar dhe braktisur.
Rilindja urbane e Durrësit pritet ende të përfundojë, sepse mbetet akoma e padorëzuar Veliera, që zvarritet prej më shumë se 6 vitesh tashmë.
“Rilindja” e shumëkontestuar e Durrësit, me sheshin qëndor ku duhet të kesh kujdes kur shkel se mund të rrëshqasësh dhe gjigantin prej betoni dhe hekuri mbi zonën arkeologjike A duhet t’i bëjë vend edhe atyre që në memorien e durrsakëve ende kujtohen si simbole të qytetit.
Shatërvani ishte një prej tyre…
M.B.