·       Deri më 20 korrik 2015 janë shënuar 7 raste urgjencash gjatë udhëtimit edhe pse pa komplikacione apo nevojë për shtrim në spital

·       Qendrat shëndetësore në Shkëmbin e Kavajës dhe Plazh furnizohen qysh në maj; vullnetarët e Kryqit të Kuq mes pushuesve

20 korrik 2015 –  Me nisjen e sezonit turistik, spitali rajonal publik Durrës (SRD) dhe drejtoria e përgjithshme ekzekutive e personit juridike publik “Autoritetit Portual Durrës” kanë rikthyer këndin e asistencës mjekësore në terminalin e trageteve. U bë tashmë një muaj që stafi mjekësor që shërben aty ofron shërbim e parë shëndetësor dhe në raste emergjencash pacientët shoqërohen për në spital. Deri më 20 korrik 2015 janë shënuar 7 raste urgjencash gjatë udhëtimit edhe pse pa komplikacione apo nevojë për shtrim në spital, bëri të ditur drejtorja e përgjithshme e SRD-së Ardiola Frashëri. Stafi mjekësor ka ofruar shërbim edhe brenda në tragete, me matjen e tensionit, masa dhe këshilla të tjera paraprake për udhëtarët. Me kalimin e ditëve numri i udhëtarëve në port është shtuar, duke arritur në fundjavë edhe në 2 000 veta. Sipas Frashërit, secili prej tyre mund të jetë një pacient potencial. Ky është viti i dytë i ngritjes së këtij këndi asistence në kuadër të projektit “AdriHealthMob”.

Dy qendra shëndetësore në Shkëmbin i Kavajës dhe në Plazh, qysh më 28 maj 2015, kanë siguruar përkatësisht 1 053 201 dhe 1 297 548 lekë kontrata për blerje barnash dhe materialesh konsumi.

Po ashtu po jepet çdo ditë ndihma e parë në plazh nga vullnetarë të degës së Kryqit të Kuq Shqiptar të Durrësit. Këshilla dhe mbështetje për pushuesit. Në këtë kohë me temperatura të larta nuk është mirë që të merren dhe foshnjat në plazh.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/