DURRËS, 21 janar 2015 – Më 20 janar 2015, anija ushtarake “Rodoni”, që përdoret kundër ndotjeve detare, u bregëzua në kalatën 0 të portit të Durrësit, aty ku gjenden edhe anijet “Iliria”, “Lissus”, M/V R-118 dhe anija hidrografe, njoftoi komanda e Forcës Detare me seli në Plepa. Mbas një punë këmbëngulëse 6-mujore të ekuipazhit të anijes “Rodoni”, specialistëve të kantierit detar Pashaliman dhe Komandës së Flotiljes Detare, anija e dytë e këtij lloji, Y – 31, pjesë e Forcës Detare, vihet në gatishmëri të plotë.
Plepat thonë se, më 8 korrik 2014, anija antindotje “Rodoni” u çua për riparim në kantierin detar të Pashalimanit. Këtu iu nënshtrua një riparimi e mirëmbajtjeje të plotë, u riparua tërësisht sistemi hidraulik, u vu në gatishmëri sistemi elektrik i anijes, u bënë riparime të tilla, që e rikthyen në gatishmëri të plotë për të zhvilluar operacionet e radhës në rajonin verior të Adriatikut. Ndërkohë në vitin 2014 dy anijeve antindotje, krahas pajisjeve ekzistuese, iu shtuan dhe pajisje të reja, breza gome për rrethimin e zonës së ndotur, duke shtuar në 30 m perimetrin e rrethimit të zonës së ndotur detare.
Forca Detare u pajis me dy anije antindotje, shtatorin e vitit 2009, dhuratë e Flotës Detare italiane. Njëra nga anijet vepron në zonën veriore të ujërave detare shqiptare dhe tjetra në jug.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





