·        Për vitin 2014 Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur si përparësi të saj investime për rimëkëmbjen e hekurudhave

·        Ka studime fizibiliteti por jo teknike

·        Nuk flitet për burimet të financimit të tyre, vetëm besohet, shpresohet

DURRËS, 13 korrik 2014 –  “Gjykoj se transporti hekurudhor është ende në letargjinë e dy dekadave të fundit”, ka pranuar Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto.

Kreu i dikasterit thotë se shinat duhet të rigjallërohen, duke vënë në dukje se “ka shenja të mira” dhe se rimëkëmbja e trenave “mund të ndodhë”, pasi, sipas z. Haxhinasto “ka një përqasje krejtësisht tjetër ndaj aseteve aktuale që ka hekurudha”.

Ministri dhe qeveria thonë se “janë të qartë edhe për sa u takon përparësive për hekurudhën në drejtim veçanërisht të segmenteve që duhet të marrin investimet”.

MTI –ja ka paraqitur objektivat e vitit 2014 në transport.

Por nuk përmendet se ku do të gjenden burimet e financimit, madje z. Haxhinasto shprehet: “Mund të flas për segmentin Tiranë-Rinas-Durrës. Së shpejti do të realizohet projekti teknik i tij dhe më pas do të realizohet besoj gjetja e financimit për të”.

Për shkak të urgjencës për rimëkëmbjen e rrjetit hekurudhor të paktën në gjendjen e saj origjinale të projektimit, është e nevojshme përgatitja e projektit teknik të detajuar të gjurmëve, ndërtesave dhe strukturave në përputhje me kërkesat e legjislacionit shqiptar dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, që do të shoqërohet me investime kapitale.

Ka përfunduar një studim fizibiliteti për të gjithë rrjetin hekurudhor dhe rekomandon rinovimin e plotë të sistemit të gjurmës, riparime të shumë strukturave dhe ndërtesave e platformave të stacioneve dhe linjave hyrëse, si dhe instalimin e një sistemi të ri së sinjalistikës në përputhje me atë të BE-së.

“Dyrrah”-u po paraqet më poshtë katër projekte me përparësi të vitit 2014, me kosto gjithsej 400 milionë euro.

1. Seksioni i hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës

Vendndodhja e këtij segmenti hekurudhor, midis Tiranës dhe Durrësit, si zona më e populluar urbane në Shqipëri, e bën atë një projekt tërheqës zhvillimi të infrastrukturës. Midis Tiranës dhe Durrësit ekziston lidhja hekurudhore, kurse projekti i ri do të konsitojë në restaurimin e infrastrukturës aktuale dhe shtimin e segmentit Tiranë-Rinas. Kostoja totale për këtë segment prej 50 km arrin në 50 milionë euro [ka studim paraprak fizibiliteti].

2. Seksioni i hekurudhës Vorë-Shkodër-Hani Hotit (kufi)

Segmenti hekurudhor që lidh Durrësin (Korridori VIII) me zonën industriale të Milotit, zonën e portit të Shëngjinit dhe në kufi me Malin e Zi. Kostoja totale për segmentin Durrës-Hani Hotit, prej 105 km arrin në 100 milionë euro [ka studim paraprak fizibiliteti].

3. Seksioni i hekurudhës Durrës-Elbasan-Pogradec-Lin (kufi)

Ky segment ka potencial të madh për shkak të lidhjes që mund të krijohet me Maqedoninë. Duke kaluar nëpër zonën industriale të Elbasanit, segmenti aktualisht përfundon në Lin (Pogradec), 2.7 km nga kufiri maqedonas. Kostoja totale për këtë segment është llogaritur në 150 milionë euro [ka studim paraprak fizibiliteti vetëm për segmentin Durrës-Elbasan].

4. Seksioni i hekurudhës Durrës-Vlorë

Segmenti hekurudhor që lidh Durrësin (Korridori VIII) me Vlorën dhe të gjithë zonën e saj industriale dhe tregtare. Kostoja totale për segmentin Durrës-Vlorë e 105 km llogaritet në 100 milionë euro [ka studim paraprak fizibiliteti vetëm për segmentin Durrës-Rrogozhinë].

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/