Pas procesit të restaurimit, busti i atdhetarit dhe patriotit të madh Dom Nikoll Kaçorri, u rivendos në qendër të qytetit të Durrësit, pranë bashkisë dhe në afërsi të kishës katolike Shën Luçia. Në ceremoninë e rastit merrte pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, një nga drejtuesit e bashkësisë katolike të qytetit At Bernard Caruana, familjarë të atdhetarit Dom Nikoll Kaçorri dhe qytetarë të Durrësit.

Kryebashkiakja Sako deklaroi me këtë rast se nënkryetari i Qeverisë së Vlorës së vitit 1912, Dom Nikoll Kaçorri, ishte një personalitet i spikatur i kishës katolike të Shqipërisë, një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit, si edhe një intelektual i madh që dha kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave kulturore të kombit shqiptar.

Famullitari i Famullisë së Shën Domenikut, At Bernard Caruana deklaroi se Dom Nikoll Kaçorri ishte një klerik i lartë i kishës katolike, i cili dha një kontribut të shquar për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë duke luftuar për fe dhe atdhe.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako deklaroi se të gjitha figurat e shquara që kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin e Durrësit gjatë gjithë historisë së tij do të vlerësohen dhe përkujtohen duke u përjetësuar në vepra arti dhe duke u vendosur në vende të ndryshme të qytetit.