Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare në bashkinë e Durresit Adrian Gurra thotë se për mirëmbajtjen e pishinës publike “Taq Dafa”, u bë shumë e nevojshme blerja e një roboti pastrimi. Ky robot i markës “Dolphin” do të realizojë një pastrim të të gjithë sipërfaqes së basenit nën ujë dhe të mureve të pishinës, duke pasur parasysh sipërfaqen e saj prej rreth 1 300 metra katror. Për këtë qëllim “parlamenti” vendor miratoi fondin prej 450 mijë lekë nga buxheti i bashkisë.

Roboti është pikërisht ky që shohim në pamjet e filmuara nga operatori ynë Sokrat Toçi.

Pas rikonstruksionit, pishina "Taq Dafa" është gati për të pritur kampionatin kombëtar të notit, në fillim të muajit shtator. Deklarata është bërë nga kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në mbledhjen e këshillit bashkiak.   

Sikurse dihet, rikonstruksioni i pishinës pas 20 vjetësh u bë i mundur me financimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban me vlerë prej 35 milionë lekësh dhe me një fond 15 milionë nga buxheti i bashkisë së Durrësit. Rikonstruksioni u krye në dy faza. E para ka të bëjë me ngritjen e impiantit të ri të ujit, përfshirë sistemin e filtrimit të ujit, veshjen e pishinës, vendosjen e starterave, ndarjen e korsive, rindërtimin e shkallëve për shikuesit, sistemimin e territorit të brendshëm të pishinës me pllaka guri etj. Ndërsa faza e dytë me vendosjen e stolave plastikë, përfundimin e dhomave të zhveshjes, rrethimin e jashtëm etj.

Th. M. & K. H.