Durrës, 2 qershor 2014 – Në një konflikt për motive të dobëta, të lindur mbrëmjen e djeshme në një lokal në zonën e Spitallës, kanë mbetur të përfshirë 5 persona, dy prej të cilëve të shpallur në kërkim nga policia e Durrësit.

Skenë e konfliktit mes 5 të rinjve ka qenë lokali i shtetasit A.T., 38 vjeç.

Sipas burimeve policore, gjithçka ka nisur rreth orës 20.00, kur dy të rinjtë Shuaip Llapri, 26 vjeç dhe Gerjant Bitri, 32 vjeç kanë nisur një debat me pronarin e lokalit, kushëririn e tij dhe një shok të tyre që ndodheshin në një tavolinë tjetër.

Pas sharjeve dhe fyerjeve, konfrontimi nga verbal është kthyer në fizik. Gjatë përleshjes me njëri tjetrin, 5 të rinjtë nuk kanë nguruar të përdorin grushtet, karriket e mjete të tjera të forta.

Pasi i kanë rrahur paq tre të tjerët, 26 vjeçari Llapri dhe 32 vjeçari Bitri janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja për të mos rënë në prangat e policisë.

Ndërkohë efektivët e rendit, të njoftuar nga kalimtarët e rastit dhe fqinjët, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë marrë dëshmitë e tre të rinjve A.T., 38 vjeç; A.T., 40 vjeç, dhe O.M., 28 vjeç; të tre banues ne Durrës.

Në të njëjtën kohë, policët kanë konstatuar edhe dëmtimet e shumta që kishin ndodhur në lokal gjatë rrahjes masive.  

Policia ka nisur procedimin penal në mungesë ndaj shtetasve Shuaip Llapri dhe Gerjant Bitri, të cilët akuzohen për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrim prone”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/