DURRES, 14 janar 2014 – Dhuna në familje nuk ka të ndalur. Një 13- vjeçare nga Durrësi ka denoncuar babain për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe nënës. Minorenia ka deklaruar se i ati e ka goditur me grusht, ndërsa nënën e ka rrahur me grushta e shkelma dhe më pas ia ka futur duart në fyt. Menjëherë pas denoncimit, policia ka vënë në pranga Petrit Bicin, me origjinë nga Gramshi. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, dje bënë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen nr.15, në Spitallë. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, hetuesit e çështjes pohuan se bashkëshortët Petrit e Nadire Bici, përkatësisht 45 vjeç dhe 35 vjeç, kishin konflikte prej kohësh. Mësohet se gruaja prej më shumë se një viti kishte kërkuar divorcin. Ndërkohë, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", nëna e dy fëmijëve ka pohuar se bashkëshorti i saj ishte shumë xheloz, e rrihte sistematikisht dhe se ia kishte kthyer jetën në ferr. Ajo ka sqaruar se, ndonëse kishte urdhër mbrojtjeje, i shoqi vazhdonte ta dhunonte atë dhe fëmijët. 35-vjeçarja kërkon mbrojtje nga shteti, duke u shprehur se ndihet e kërcënuar.
Zonja Nadire, çfarë ndodhi mbrëmjen e së dielës në familjen tuaj?
Ishim të gjithë në shtëpi duke ngrënë darkë, kur mua më ra telefoni. Ishte kunata ime, e cila është mjeke. Bashkëshorti im u bë shumë xheloz. Filloi të më godiste me grushta dhe shqelma dhe të më shante me fjalë të ndyra. Ndërhyri vajza jonë 13 vjeçe që ta ndante nga unë. Por, ai e goditi edhe vajzën me grusht. Më pas më hodhi mua duart në fyt, ndërsa më shante prostitutë dhe me fjalë të tjera të ndyra.
Si reaguat?
Petriti nuk më lëshonte. Djali 8 vjeç, i tmerruar bërtiste me të madhe. Atëherë vajza mori policinë në telefon dhe kërkoi ndihmë.
Policia nuk po vinte dot shpejt, pasi nuk gjente dot rrugën që të hynte në zonën informale të Spitallës. Më pas, vajza mori biçikletën dhe shkoi e bëri denoncim në polici, e cila erdhi dhe e arrestoi tim shoq.
Përse konfliktohej bashkëshorti juaj?
Ai është shumë xheloz dhe i papërmbajtshëm. Kështu ka qenë që kur kemi mbërritur në Durrës vite më parë. Një vit më parë, kërkova divorcin. Ai nuk e pranon dot këtë gjë. E ka hedhur çështjen në Gjykatën e Apelit.
Sa kohë ka që është i dhunshëm?
U bë kohë. 6 muajt e fundit e kam denoncuar disa herë. Madje në muajin nëntor e ndaluan sërish.
Ju, keni urdhër mbrojtjeje?
Ne kemi të dy urdhër mbrojtjeje. Para 6 muajsh, Petriti na dhunoi të gjithëve, mua dhe dy fëmijëve. Unë lajmërova policinë, por ai u tregua dinak. Mori avokatin dhe më denoncoi mua sikur e kisha rrahur. Kështu që Gjykata na dha të dyve urdhër mbrojtjeje që të mos i afroheshim njëri-tjetrit. Problemi është se ne jetojmë në të njëjtën shtëpi. Do s'do, përballemi me njëri-tjetrin çdo orë e minutë. Mua më ofendon me fjalë nga më të ndyrat dhe më kërcënon shpesh në sy të fëmijëve.
Pse nuk jeni ndarë?
Nuk jemi ndarë, pasi ai kërkon që të na nxjerrë mua dhe fëmijët nga shtëpia, të cilën e kemi ndërtuar bashkë. Petriti kërkon ta mbajë shtëpinë vetë dhe ne të dalim jashtë. Ose më thotë, "merr vajzën dhe ik". Ndërkohë që djali, i cili është vetëm 8 vjeç, kërkon të qëndrojë me mua.
A keni probleme ekonomike?
Jo, nuk kemi. Ai ka punuar në emigracion, më pas këtu. Unë punoj në rrobaqepësi prej disa vitesh. Ai, pasi u kthye nga emigracioni, më shumë ka qenë pa punë se në punë. Çështja është se Petriti nuk e përballon dot faktin e divorcit dhe të lërë shtëpinë. Thotë që nuk do ta pranojë kurrë.
Si mendoni ta zgjidhni konfliktin mes jush?
Unë do të divorcohem, pasi nuk mund të jetoj me një burrë të dhunshëm, i cili ma ka bërë jetën ferr. Mund të dal nga shtëpia dhe të jetoj me qira, vetëm që fëmijët të jetojnë të qetë dhe të mos ndihen të kërcënuar. Por nuk pranoj kurrsesi t'i lë djalin. Fëmijët do të jetojnë me mua.
Si jeni njohur me njëri-tjetrin?
Unë jam nga zona e Ersekës, ai nga zona e Gramshit. Ne jemi martuar me shkesi.
Cili është apeli juaj?
Kërkoj mbrojtje nga policia dhe shteti. Të merren masa të menjëhershme që bashkëshorti im dhunues të na rrijë sa më larg. Fëmijët duan vetëm që ai të na lërë të qetë, të mos na rrahë e kërcënojë.
/ Klodiana Haxhiaj G.Sh /





