Durrës, 15 qershor 2014 Me qindra qytetarë u bënë pa dashje dëshmitarë okularë të ngjarjes së djeshme ndodhur në segmentin rrugor Plepa-Ura e Dajlanit, në afërsi të tregut industrial, në të cilën mbeti i vrarë biznesmeni Kujtim Dyrmishi. Vendi në të cilin ndodhi krimi në këtë periudhë është tejet i populluar, pasi ndodhet vetëm 20 metra larg bregut të detit. Një ndër dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes ishte edhe H. Saliu, i cili teksa tregon për gazetën "Panorama" kronologjinë e ngjarjes, thekson se kalimtarët kanë rrezikuar seriozisht jetën. Sipas dëshmitarit, gjithçka ka ndodhur në harkun e pak sekondave, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ngjarja e rëndë e vrasjes së biznesmenit Kujtim Dyrmishi ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek banorët e zonës. Ata shprehen se kjo ngjarje që ndodhi në fillimin e sezonit turistik lë një shenjë jo të mirë duke prishur imazhin turistik të qytetit të Durrësit. Banorët kërkojnë marrjen e masave shtesë dhe përforcimin e kontrolleve nga ana e policisë.

Ku ishit në momentin që ndodhi ngjarja?  

Isha duke pirë kafe pak metra larg vendit ku ndodhi krimi. Se kishim mnndjen se po bisedonim, vetëm kur dëgjuam breshëri të gjata automatiku. U ndiem të frikësuar dhe të tmerruar në të njëjtën kohë, pasi pamë një skenë shumë të frikshme.

Çfarë ndodhi konkretisht?

Ne pamë që në momentin që u qëllua mjetet ishin paralel me njëri-tjetrin. Personi që mbeti i vdekur si duket kishte ndaluar dhe po zbriste nga mjeti, ndërkohë autorët i afrohen dhe qëllojnë në drejtim të tij. Dy prej tyre zbritën dhe qëlluan edhe nga afër, ndërsa më pas hipën sërish në makinë dhe u larguan në drejtim të Urës së Dajlanit.

Arritët t'i shikonit autorët?

Pamë që brenda mjetit ishin tre persona, por ishte e pamundur t'i identifikoje, sepse ishin të maskuar. U tmerruan të gjithë kalimtarët, pasi u qëllua disa herë. Komuniteti ndihet i pasigurtë. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, sepse krijojnë një imazh tejet negativ në sektorin e turizmit.

U krijua panik ndër kalimtarë?

Sigurisht, madje u shkaktua edhe kaos. Njerëzit nuk dinin ku të futeshin dhe u përpoqën të vraponin larg vendit të ngjarjes. Ishte diçka që ndodhi në pak sekonda dhe të gjithë, më tepër se të shikonin ngjarjen, u përpoqën të siguronin kokën e tyre. Këtu kishte gra, fëmijë e pleq, të cilët rrezikuan seriozisht jetën, por fatmirësisht shpëtuan mrekullisht. 

Pati persona afër skenës së krimit?

Kishte, kishte disa persona. Ata u larguan me shpejtësi sapo dëgjuan të shtënat. Autorët me sa duket qëlluan nga një distancë e afërt, prandaj dhe fatmirësisht nuk kemi viktima të tjera. Ata kishin qëllim objektivin dhe pasi u siguruan se e vranë, u larguan me shpejtësi në drejtim të Urës së Dajlanit. 

/gazeta “Panorama”/